Të shtunën fillon “Balkan Fest 2026”, dy net me këngë e valle në Kumanovë dhe Mateç

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova organizon për herë të gjashtë  Festivalin Ndërkombëtar “Balkan Fest 2026” i cili do të mbahet më 10 dhe 11 tetor në Kumanovë dhe Mateç, duke sjellë ansamble, kore dhe shoqëri kulturore nga vendi dhe rajoni, shkruan Portalb.mk.

Nata e parë do të mbahet të shtunën, më 10 tetor, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, nga ora 19:00. Programin do ta hapë ansambli nikoqir “Bajram Shabani”, për të vijuar me korin “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina, ansamblin “Srma” nga Kumanova, “NAKEM” nga Bursa e Turqisë, “Bllagaj” nga Bosnja dhe Hercegovina dhe ansamblin “Shqiponja” nga Tirana. Mbrëmjen do ta përmbyllë ansambli “Ilirida” nga Shtimja.

Nata e dytë do të zhvillohet të dielën, më 11 tetor, në Shtëpinë e Kulturës në Mateç, po nga ora 19:00. Para publikut do të paraqiten “Presheva”, kori “Nexhmije Pagarusha”, “Drita e Dërvenit” nga Saraji, “Bllagaj” nga Bosnja dhe Hercegovina dhe “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova. Programin do ta mbyllë shoqëria nikoqire “Jeta e Re” nga Sllupçani.

Në të dyja ditët, para programit artistik, pjesëmarrësit do të zhvillojnë defile në vendbanimet ku mbahet festivali. Interpretimet do të ndiqen nga një juri profesionale, e cila në përfundim do të ndajë çmimet për pjesëmarrësit.

Sipas këshillit organizativ, festivali ishte parashikuar të zgjaste tri net, por për shkak të mjeteve të pamjaftueshme financiare, programi është përqendruar në dy mbrëmje. Edicioni i sivjetmë mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, komunat e Kumanovës dhe Likovës, si dhe sponsorët e përhershëm të festivalit.

Programi i Festivalit Ndërkombëtar “Balkan Fest 2026”. Foto: Driton Ramadani
Programi i Festivalit Ndërkombëtar “Balkan Fest 2026”. Foto: Driton Ramadani