FDA dhe EMA reaguan për lidhjen e mundshme midis autizmit dhe paracetamolit
Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka nisur këtë të martë procesin për ndryshimin e etiketës së përdorimit të acetaminofenit (produktet si Tylenol apo paracetamol siç njihet në Evropë), duke mbështetur indiciet se përdorimi i këtij medikamenti nga gratë shtatzëna mund të lidhet me një rrezik të shtuar për zhvillimin e çrregullimeve neurologjike, si autizmi dhe ADHD te fëmijët. Përveç kësaj, agjencia ka dërguar një letër paralajmëruese për mjekët në të gjithë SHBA-në, transmeton Euronews.
“FDA po merr masa për të informuar prindërit dhe mjekët mbi një sasi të konsiderueshme provash për rreziqet e mundshme që lidhen me acetaminofenin,” tha komisioneri i FDA-së, Marty Makary, M.D., M.P.H. “Megjithëse ekzistojnë këto prova, vendimi i fundit i përket prindërve. Parimi i kujdesshëm mund të çojë shumë të shmangin përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë, veçanërisht pasi shumica e etheve të lehta nuk kërkojnë trajtim. Megjithatë, është e arsyeshme që gratë shtatzëna të përdorin acetaminofen në situata të caktuara”, njoftoi FDA.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) nga ana tjetër tha të martën se nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të rajonit për përdorimin e paracetamolit, i njohur si Tylenol në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë shtatzënisë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën lidhi autizmin me përdorimin e vaksinave të fëmijërisë dhe marrjen e ilaçit të njohur kundër dhimbjeve, Tylenol, nga gratë gjatë shtatzënisë.
Kësisoj, ai e ngriti në qendër të politikës shëndetësore të SHBA-së një pretendim që nuk mbështetet nga prova shkencore.
“Provat e disponueshme nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit”, tha EMA në një deklaratë për Reuters.
Agjencia shtoi se paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë kur është i nevojshëm, por gjithmonë në dozën dhe shpeshtësinë më të ulët efektive.
Vitet e fundit, disa studime të mëdha, përfshirë Nurses’ Health Study II dhe Boston Birth Cohort, kanë gjetur një lidhje midis përdorimit të acetaminofenit gjatë shtatzënisë dhe diagnostikimit më të vonshëm të sëmundjeve si autizmi dhe ADHD. Disa prej këtyre studimeve përmendin se rreziku është më i lartë kur medikamenti përdoret në mënyrë kronike gjatë gjithë shtatzënisë.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, edhe pse është vërejtur një lidhje mes acetaminofenit dhe çrregullimeve neurologjike në disa studime, nuk është konfirmuar një marrëdhënie shkakësore, dhe në literaturën shkencore ekzistojnë edhe studime që nuk mbështesin këtë lidhje. Po ashtu, acetaminofeni është ilaçi i vetëm pa recetë që është miratuar për trajtimin e etheve gjatë shtatzënisë, të cilat mund të jenë të rrezikshme për fetusin. Për më tepër, aspirina dhe ibuprofeni kanë efekte të dokumentuara negative mbi fetusin.