Evropa është para luftës dhe nuk është e përgatitur, tha kryeministri polak Tusk

Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se Evropa është në gjendje të paraluftës dhe nëse Rusia e fiton Ukrainën, askush në Evropë nuk do të jetë i sigurt, transmeton Portalb.mk.

“Nuk dua të frikësoj askënd, por lufta tash më nuk është koncept nga e kaluara. Ajo është reale dhe filloi para dy viteve”, deklaroi Tusk.

Rusia përforcoi bombardimet e Ukrainës në javët e fundit. Ukraina tha ditë më parë se rrëzoi 58 dronë dhe 26 raketa dhe se infrastruktura energjetike është goditur në gjashtë rajone.

Tusk tha se, Vladimir Putini tash më akuzoi Ukrainën për sulmin xhihadist në sallën e koncerteve afër Moskës pa dëshmi dhe “është e dukshem se dëshiron t’i arsyetojë sulmet e përforcuara ndaj objektivëve civilë në Ukrainë”.

Ai u bëri thirrje liderëve evropian që të investojnë më shumë në mbrojtjen dhe të rrisin ndihmën për Ukrainën.

“Dy vitet e ardhshme të luftës do të zgjidhin gjithçka. Jetojmë në momentin më kritik nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ajo që është më shqetësuese është se, çdo skenar është i mundshëm, ndërsa Evropa nuk është e përgatitur”, tha Tusk.

Putin këtë javë deklaroi se, Rusia nuk planifikon të sulmojë asnjë anëtare të NATO-së, në këtë mënyrë as Poloninë, por paralajmëroi se, nëse perëndimi i jep avionë luftarakë “F-16” Ukrainës, ato do të jenë shënjestër legjitime, pavarësisht se ku ndodhen.