Europe House Shkup përmbylli edicionin e dytë i lojës online për të drejtat e njeriut “Navigator 2.0”
Me ndarjen e çmimeve për pjesëmarrësit më të suksesshëm, sot në Europe House Shkup u përmbyll zyrtarisht edicioni i dytë i lojës online dhe interaktive për të drejtat e njeriut “NAVIGATOR 2.0”, e cila përmes lojës kishte për qëllim edukimin e të rinjve për të drejtat e njeriut në një mënyrë moderne dhe të qasshme, transmeton Portalb.mk.
Gjatë ngjarjes u shpallën fituesit e çmimeve, të cilët arritën rezultatet më të mira gjatë lojës. Çmimin kryesor, një kupon me vlerë prej 60.000 denarësh për blerjen e pajisjeve elektronike dhe IT, e fitoi Sanja Gashçeovska nga Berova, e cila u përzgjodh me short nga një bazë prej rreth 5.200 aplikimesh valide që kishin kaluar sfidën e fitimit të 1.000 pikëve, duke fituar kështu të drejtën për të hyrë në garën finale për çmimin kryesor.
Fituesit e tjerë të çmimeve, të siguruara nga ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, u përzgjodhën në bazë të rezultatit të arritur në lojën online “NAVIGATOR 2.0”, sipas renditjes nga numri më i ulët drejt atij më të lartë të pikëve të fituara.
Top 14 lojtarët:
14. Nikollçe Tolomanoski – fitoi një kurs të gjuhës spanjolle në akademinë Casta Diva, dhënë nga Ambasada e Spanjës.
13. Anica Andrevksa – fitoi një fanellë origjinale lituaneze të basketbollit me emrin e Sabonis, dhënë nga Ambasada e Lituanisë.
12. Stojanço Lembovski – fitoi produkte tematike Moomins dhe libra për Moomins dhe kulturën finlandeze, dhënë nga Ambasada e Finlandës.
11. Kristijan Petrovski – fitoi maskota zyrtare nga Lojërat Olimpike Franceze 2024 “The Phryges”, dhënë nga Ambasada e Francës.
10. Marinella Trajçevska – fitoi një shportë me produkte tradicionale greke, dhënë nga Ambasada e Greqisë.
9. Bojana Aleksievska – fitoi pajisje çiklizmi (maica, helmeta, dryna dhe shishe – Pony Rog), dhënë nga Ambasada e Sllovenisë.
8. Sara Karevska – fitoi një shportë me produkte çeke, pije dhe bizhuteri tradicionale çeke, dhënë nga Ambasada e Çekisë.
7. Marija Ivanovska – fitoi një vazo IKEA dhe një përzgjedhje ëmbëlsirash suedeze, dhënë nga Ambasada e Suedisë.
6. Daniela Pavlovska – fitoi dy bileta avioni vajtje-ardhje për Bratislavë, dhënë nga Ambasada e Sllovakisë.
5. Tanja Atanasova – fitoi një shportë me produkte autentike kroate, dhënë nga Ambasada e Kroacisë.
4. Ana Tolomanoski – fitoi një kartë Interrail për udhëtim me tren nëpër Evropë, e siguruar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian.
3. Lençe Atanasova – fitoi një set për kafe Bialetti Moka, dhënë nga Ambasada e Italisë.
2. Teo Svinarski – fitoi një biçikletë, dhënë nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës.
1. Stefan Atanasovski-Trajkoviq – fitoi një udhëtim në Frankfurt me vizitë në Institutin Arkeologjik Gjerman, dhënë nga Ambasada e Gjermanisë.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ben Nupnau, ushtrues detyre Ambasador në Delegacionin e Bashkimit Evropian, theksoi se: “Të drejtat e njeriut janë universale, të pandashme dhe të ndërlidhura. Ato e mbrojnë dinjitetin tonë dhe formësojnë mënyrën se si jetojmë së bashku çdo ditë – pa vendosur asnjërën mbi tjetrën. Të drejtat civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore janë thelbësore, dhe secila prej tyre i forcon të tjerat.”
Këtë vit, loja u avancua me përmbajtje të reja, interaktivitet të përmirësuar dhe me prezantimin e Planetit Portokalli, kushtuar temës së dhunës me bazë gjinore, në kuadër të fushatës globale “Orange the World”.
Gjatë edicionit të sivjetëm, “NAVIGATOR 2.0” shënoi interes dhe angazhim të konsiderueshëm, me rreth 450.000 pyetje të përgjigjura, çka përbën një tregues të qartë të interesit të të rinjve për të mësuar dhe informuar mbi të drejtat e njeriut përmes mjeteve inovative digjitale. Ky format kontribuon në forcimin e ndërgjegjësimit, të mendimit kritik dhe të qytetarisë aktive te të rinjtë.
Edicioni i sivjetëm i “NAVIGATOR 2.0” u realizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House në partneritet me Kombet e Bashkuara, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa loja u krijua në bashkëpunim me shoqatën për zhvillimin e lojërave Galaktik Omnivor dhe Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Rinj.
“NAVIGATOR 2.0” dëshmoi edhe një herë se formatet digjitale dhe interaktive mund të jenë një mjet i fuqishëm për afrimin e të drejtave të njeriut te të rinjtë dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dije, barazi dhe respektim të lirive themelore.