Konventa e Bernës: Hidrocentralet e vogla ende kërcënim për Mavrovën
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, i cili mblidhet çdo vit në dhjetor në Strasburg, shqyrtoi rastin e Parkut Kombëtar të Mavrovës këtë vit dhe arriti në përfundimin se ndërtimi i hidrocentraleve në territorin e tij është ende rrezik dhe se nuk ka pasur përparim në zbatimin e rekomandimeve të dhëna vendit në vitet e fundit, që nga hapja e rastit të Mavrovës në vitin 2014, transmeton Portalb.mk.
Këtë vit, Komiteti arriti në përfundimin se nuk janë miratuar ndryshime në Ligjin e ujërave, as nuk ka Ligj të ri për Natyrën. Parku Kombëtar i Mavrovës ende nuk është rishpallur dhe të gjitha koncesionet për hidrocentralet në Mavrovë nuk janë anuluar.
Qendra për Kërkime dhe Informacion Mjedisor “Eko Svest” thotë se të gjitha vërejtjet e Konventës së Bernës u vunë re edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2025.
“Për shkak të progresit të dobët, Komiteti shprehu shqetësimin e tij dhe miratoi vendim për të kryer vizitë në terren në Maqedoni në vitin 2026, me qëllim që të ndihmojë në zhbllokimin e proceseve dhe të arrijë progres të kënaqshëm. Është e qartë se edhe pas 11 vitesh nga hapja e çështjes, nuk ka interes të mjaftueshëm për zgjidhjen e saj përmes zbatimit të të gjitha rekomandimeve të dhëna”, thotë Ana Çoloviq Lesoska nga Eko Svest, e cila është parashtruesja e çështjes në Konventën e Bernës.
Çoloviq Lesoska kujton se me rëndësi të madhe për mbylljen me sukses të çështjes është miratimi i ligjit për ujërat dhe një ligji të ri për natyrën, shpallja e Mavrovës në përputhje me standardet ndërkombëtare, miratimi i një plani kombëtar veprimi për rrëqebullin e Ballkanit dhe sigurimi i fondeve shtetërore për zonat e mbrojtura. Ajo thekson se ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura duhet të vendoset urgjentisht në ligj dhe të zbatohet praktikisht.
Komiteti i Konventës së Bernit edhe vitin e kaluar i bëri të njëjtat vërejtje ndërsa në dhjetor të vitit 2023 në seancën e 43-të kërkoi nga vendi ynë që menjëherë ta anulojë Ribniçkën në Mavrovë dhe të shkëputen të gjithë koncesionet për hidrocentrale të vegjël në Malin Sharr. Komiteti kërkoi edhe që të përshpejtohet shpallja e Parkut kombëtar Mavrovë dhe miratimi i ligjeve për ujërat dhe mbrojtjen e natyrës.