Etnomuzikologu Bekim Ramadani solli 100 këngë dasme të kthyera në nota muzikore

Ditë më parë është botuar libri “Dasma shqiptare në nota: 100 këngë popullore të përjetësisë dhe të dashurisë” me autor Bekim Ramadani. Ky libër shërben si një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të ardhmes, duke na ofruar një dritare të dasmave shqiptare. Këto këngë nuk janë thjesht melodi, por shpirti i një kulture që pasqyron krenarinë, emocionet dhe vlerat që na bashkojnë si komb, transmeton Portalb.mk.

Këngët e përfshira janë të larmishme jo vetëm në përmbajtjen e tyre, por edhe në formën muzikore. Ato përfshijnë struktura homofonike dhe polifonike, me metra e tempe të ndryshme. Larmia ritmike dhe melodike pasqyron ritmin e jetës shqiptare, duke përfshirë momente të ndryshme të dasmës, nga përgatitjet e deri te falënderimet dhe festimet pas ceremonisë.

Një aspekt tjetër thelbësor i këtij libri është renditja alfabetike e këngëve, e cila nënvizon gjithëpërfshirjen e një dasme shqiptare. Në këtë kontekst, një dasmë shqiptare shfaqet si një “mikrokozmos muzikor” ku ndërthuren këngët nga të gjitha trevat – nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Çamëria, Arbëreshët dhe komunitetet shqiptare kudo në botë. Nuk janë bërë ndarje sipas krahinave, gjinive, apo natyrës muzikore, për të reflektuar frymën e harmonisë dhe unitetit kulturor që karakterizon traditën tonë.

Etnomuzikologu dhe autori i librit Bekim Ramadani për Portalb.mk tha se ky libër libër sjell për publikun një përmbledhje unike të 100 këngëve popullore të dasmave shqiptare, të cilat përfaqësojnë jo vetëm artin muzikor, por edhe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

“Përmes transkribimit të këtyre këngëve, shoqëruar me tekstet dhe notat muzikore, libri dokumenton një pjesë të muzikës që ka qenë pjesë thelbësore e riteve të dasmave ndër shekuj. Përmes tij synohet të ruhet autenticiteti i këngëve dhe të kontribuohet në njohjen, studimin dhe trashëgiminë e tyre për brezat e ardhshëm. Ky libër është një burim i rëndësishëm për studiuesit, muzikantët dhe të gjithë ata që janë të interesuar për kulturën dhe muzikën popullore shqiptare, sepse i jep zë traditës sonë muzikore dhe e paraqet atë si një thesar që meriton të ruhet dhe të përçohet. Një fjalë e urtë thotë: “Kush ruan këngën, ruan kujtesën”, tha Ramadani.

Ramadani shtoi se traditat shqiptare, janë gjithnjë e më pak të pranishme dhe më pak të vlerësuara në zona të shumta të vendit tonë.

“Traditat shqiptare, përfshirë ato të lidhura me dasmat, janë gjithnjë e më pak të pranishme dhe më pak të vlerësuara në zona të shumta të vendit tonë. Në një botë që globalizohet me shpejtësi, ndikimet e kulturave të huaja dhe ndryshimet sociale kanë çuar në një lloj transformimi të traditave tona. Megjithatë, në disa vende, sidomos në zonat rurale dhe në treva ku tradita ka mbetur më e fortë, ritmet, këngët dhe zakonet popullore vazhdojnë të ruhen. Iniciativa si ky libër luajnë një rol të rëndësishëm në dokumentimin dhe mbajtjen gjallë të këtyre traditave. Ruajtja e traditave nuk është vetëm një akt nostalgjik, por një përgjegjësi që ndihmon në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Një fjalë e urtë thotë: “Shtëpia mbahet nga themelet, kombi nga traditat”, tha Ramadani.

Ramadani tha se dasma shqiptare ka mbetur një nga testamentet e rralla të bukurisë dhe të qëndrueshmërisë së kulturës sonë.

“Brezi i ri është i ndikuar nga zhvillimet e reja teknologjike dhe ato socio-ekonomike, andaj kjo ka rezultuar me mënyrën se si organizohen dhe si përjetohen dasmat. Për fat të mirë, ka edhe të rinj që tregojnë interes për të ruajtur dhe për të përçuar adetet, ritet e traditat, sidomos kur ato janë pjesë e një ndjenje identiteti dhe krenarie kulturore. Ndërsa disa rite dhe këngë popullore ende vlerësohen dhe përfshihen në dasmat e sotme, shumë të tjera janë modifikuar ose janë lënë mënjanë. Dasma shqiptare ka mbetur një nga testamentet e rralla të bukurisë dhe të qëndrueshmërisë së kulturës sonë, andaj le ta ruajmë këtë thesar si një detyrë për të shkuarën dhe një dhuratë për të ardhmen”, tha Ramadani.

Ai përmes kësaj pune synon që jo vetëm të dokumentojë një pjesë të çmuar të trashëgimisë , por edhe të kontribuojë në ruajtjen dhe përcjelljen e saj për brezat e ardhshëm.

Pamje nga libri “Dasma shqiptare në nota: 100 këngë popullore të përjetësisë dhe të dashurisë”. Foto: Bekim Ramadani
Pamje nga libri “Dasma shqiptare në nota: 100 këngë popullore të përjetësisë dhe të dashurisë”. Foto: Bekim Ramadani