Është gjithnjë e më e sigurt se të punësuarit në FSSH do të hyjnë në grevë të përgjithshme, alarmoi Sindikata e AOGJSH

Organizata sindikaliste e Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) do ta aktivizojë vendimin për grevë të marrë më 16.11.2023, nëse në seancën e nesërme të Bordit Drejtues të FSSH-së merret vendim që do të ulen pagat e të punësuarve sipas kërkesës së Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, kumtuan sot nga Sindikata e AOGJSH, raporton MIA.

Në kumtesë, u bëhet thirrje anëtarëve të Bordit Drejtues dhe drejtorëve të FSSH-së që të mos i sjellin qytetarët në një situatë ku nuk do të mund të realizojnë asnjë të drejtë nga sigurimi shëndetësor, sepse, siç thotë, nëse fillon greva asnjë i punësuar nuk do t’i kryejë obligimet e punës me asnjë çmim.

Organizata sindikaliste e FSSH pranë Sindikatës së AOGJSH, sqarohet në kumtesë, në negociata me udhëheqësin e FSSH-së dhe Bordin Drejtues të FSSH-së më 25.07.2023, arriti marrëveshje për rritjen e pagave për të punësuarit në FSSH në vlerë prej 15 për qind në disa faza.

“Kjo rritje u zgjat deri në muajin dhjetor 2023, kur  për herë u ishte paguar të punësuarve, në mënyrë që punonjësit e FSSH-së të harmonizojnë pagat e tyre me institucionet përkatëse. Pavarësisht marrëveshjes së arritur, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke dalë jashtë kompetencave të saj dhe në kundërshtim me normat ligjore, në seancën e mbajtur më 09.01.2024, ka miratuar një Konkluzion me të cilin i rekomandon Bordit Drejtues të FSSHM-së që të punësuarve t’ua zvogëlojë pagat në vlerë prej 21 për qind. Nëse Bordi Drejtues i FSSH-së do të respektojë këtë konkluzion të Qeverisë dhe do të ulë pagat e punonjësve, një pjesë të madhe të punonjësve do të çojë në situatë të kenë pagë nën minimumin dhe jo vetëm që do të shkelë Ligjin për pagën minimale, Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore, por përgjegjësi penale do të mbajnë edhe të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues”, thuhet në kumtesën e Sindikatës së AOGJSH-së.

Shtohet se paga mesatare bruto për punonjës në FSSH është më e ulët se të gjitha institucionet e ndërlidhura, ministritë dhe administrata në shëndetësi dhe të gjitha shpjegimet e dhëna nga Qeveria dhe Ministria e Financave se nuk ka mjete për pagesën e pagave, thuhet në kumtesë, janë të palogjikshme sepse në Buxhetin e FSSH-së ka rezervë prej 1,6 miliardë denarë, që është më se e mjaftueshme për të paguar pagat me rritjen e dakorduar prej 15 për qind.

“Buxheti i FSSH-së është i ndarë nga Buxheti qendror, mjetet e pagave nuk parashikohen nga Buxheti qendror por nga Buxheti i FSSH-së dhe asnjëherë deri më tani nuk ka pasur problem dhe përzierje të tillë në punën e FSSH-së nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, kumtuan sot nga Sindikata e AOGJSH.

Ndryshe, punonjësit e gjykatës dhe prokurorisë publike që nga 27 shtatori janë në grevë, duke kërkuar pagesën e shtesave dhe rritje të pagave prej 78 për qind, shuma me të cilën u rritën pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve.

Pas mospërfilljes së kërkesave të tyre, Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor mbajtën protesta, duke paralajmëruar se nëpunësit gjyqësorë do të fillojnë me greva. Punonjësit e prokurorisë dhe gjykatës po protestojnë për rritjen e rrogës deri 78 përqind.