Është arrestuar vëllai i ish-kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban
Është arrestuar Aron Orban, vëllai i ish-kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Ai sot shkroi në profilin e tij në Facebook se në fakt objektiv i këtij aksioni është ai dhe jo vëllai i tij, raporton Euronews.
“Sot, qeveria duhet të japë llogari para Komitetit për Siguri Kombëtare për skandalin e spiunazhit. Ndryshimi është vetëm një shpërqendrim. Në Hungari nuk ka përgjegjësi, ka vetëm ndryshime. Kur qeveria vlerëson se situata është e pakëndshme, ndërhyn AVH-ja. Qëllimi i kësaj loje të ndyrë është eliminimi i kundërshtarit politik dhe vendosja e një sistemi njëpartiak. Unë jam objektivi, ndërsa vëllai im është vetëm mjet”, shkroi Orban në Facebook.
Kryeministri aktual, Peter Magyar, në profilin e tij në Facebook shkroi se Viktor Orban ka konfirmuar se organet hetuese e kanë ndaluar vëllanë e tij.
“Ish-kryeministri, si zakonisht, menjëherë ua drejtoi gishtin të tjerëve dhe, si një ‘luftëtar’ i guximshëm i rrugës, menjëherë mori rolin e viktimës”, shkroi Magyar.
Ai shtoi se Aron Orban është ndaluar nën dyshimin se është i përfshirë në kontrabandimin e njerëzve.
Mediat hungareze raportuan se Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurive (NVVH) dhe Agjencia Kombëtare e Hetimeve (NNI) zhvilluan një operacion të përbashkët këtë mëngjes. Sipas njoftimit zyrtar, janë arrestuar disa persona dhe janë kryer bastisje në kuadër të dy rasteve të veçanta penale.
Megjithatë, policia nuk i ka bërë publike emrat e personave të ndaluar dhe as nuk e ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e personave të përfshirë në operacion.
Portali Telex mëson se informacionet për rastin e Aron Orbanit dhe bashkëpunëtorëve të tij kishin arritur më herët jo vetëm te Prokuroria Qendrore e Përgjithshme Hetimore, por edhe te policia. Sipas informacioneve të këtij portali, një përkthyes vietnamez që jeton në Budapest dhe që kishte njohuri për çështjet e lidhura me vizat, kishte dhënë deklaratë para Byrosë Kombëtare të Hetimeve.
Vietnamezi kishte qenë në kontakt me personat e përfshirë në rast dhe ishte takuar dy herë me Aron Orbanin. Përkthyesi gjithashtu kishte informacione të sakta për rolin që kishin luajtur Aron Orban dhe partnerja e tij jashtëmartesore në këtë rast. Sipas Telex, përkthyesi e kishte shoqëruar Aron Orbanin në negociata biznesi në Veszprem.
Rasti i Aron Orbanit dhe partnerëve të tij të biznesit u zbulua nga Telex në maj të vitit 2025, pasi u publikua një incizim audio, në të cilin vëllai i ish-kryeministrit bisedonte me David Hay, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Viktor Orbanit, në kabinetin e kryeministrit.
Incizimi tregon se Aron Orban dhe bashkëpunëtorët e tij ishin përfshirë në biznesin e pajisjes me viza, por se disa kërkesa për viza ishin bllokuar nga organet kompetente. Gazetarët e Telex më vonë arritën t’i identifikonin partnerët e biznesit të Aron Orbanit, por iu nevojitën edhe disa muaj për të zbuluar aktorë të tjerë të rëndësishëm në këtë rast, si dhe lidhjet mes tyre.
Relativisht shpejt, ata konstatuan se bashkëpunëtorët e Aron Orbanit, për shkak të kërkesave të bllokuara për viza, kishin fituar shumë armiq, të cilët kërkonin t’u ktheheshin paratë. Njëri prej këtyre personave paraqiti edhe kallëzim penal, të cilit ia bashkëngjiti një sërë provash, përfshirë korrespondencë të gjerë të brendshme dhe shumë incizime audio.
Më pas, Prokuroria Qendrore e Përgjithshme Hetimore nisi hetimet, por në thelb nuk ndodhi asgjë. Për më tepër, personi që kishte paraqitur kallëzimin ndërroi jetë papritur që atëherë. Pas kësaj, Telex siguroi provat që ai i kishte ruajtur.