Objekte me vlerë nga një denar dhe vende të paplotësuara pune, çfarë zbuloi revizioni në Ministrinë e Transformimit Digjital?
Gjashtëmbëdhjetë objekte afariste janë regjistruar me vlerë prej vetëm një denari secili, për mallra dhe shërbime janë paguar rreth 44.400 euro pa u zhvilluar procedurë e prokurimit publik, ndërsa detyrimet ndaj furnizuesve vendorë në fund të vitit 2024 arrinin në rreth 235.400 euro. Në të njëjtën kohë, pasuria dhe pajisjet nuk ishin të siguruara, ndërsa 43 për qind e vendeve të sistematizuara të punës kishin mbetur të paplotësuara. Këto janë disa nga gjetjet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për buxhetin bazë të Ministrisë së Transformimit Digjital për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.
Revizorët konstatuan probleme me evidencën e pasurive të paluajtshme dhe mjeteve themelore, dokumentacion jo të plotë për prokurimet publike, vonesa në regjistrimin e faturave dhe dobësi në kontrollin e brendshëm.
“Nuk ishim në gjendje të siguronim dëshmi të mjaftueshme dhe të përshtatshme të revizionit si bazë për dhënien e një opinioni për revizionin”, thuhet në raportin për pasqyrat financiare.
Objekte në lokacione të lakmueshme me vlerë prej vetëm një denari
Një nga gjetjet më të spikatura ka të bëjë me pasurinë e paluajtshme. Në evidencën jashtë bilancit ishin regjistruar 16 objekte afariste me vlerë prej nga një denar secili, për të cilat Ministria nuk kishte dokumentacion të plotë.
Në evidencën materiale ekzistonte edhe një zë me emërtimin “Objekte”, me vlerë prej 140,05 milionë denarësh, përkatësisht rreth 2,28 milionë euro. Kjo shumë përbënte 92,29 përqind të vlerës aktuale të përgjithshme të objekteve ndërtimore, por nuk ishte dorëzuar dokumentacion që do të mundësonte përcaktimin se cilave objekte konkrete u referohej.
Revizorët rekomandojnë sigurimin e fletëve pronësore, vlerësimin e objekteve dhe regjistrimin e tyre të saktë në librat afaristë.
Problemet me evidencën lidhen edhe me ndarjen e ish-Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës në Ministrinë e Transformimit Digjital dhe Ministrinë e Administratës Publike. Pas ndarjes, regjistrimi i plotë i pasurisë nuk ishte realizuar dhe nuk ishte përgatitur bilanci ndarës, përmes të cilit duhej të shpërndaheshin hapësirat, pajisjet, inventari, arkivi, dokumentacioni dhe mjetet e tjera ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë regjistrimit të jashtëzakonshëm të pasurisë, me gjendje më 1 korrik 2024, nuk ishin regjistruar disa nga mjetet jomateriale dhe telefonat mobilë. Për mjetet themelore mungonin të dhënat mbi vlerën dhe numrat e inventarit, ndërsa raporti i regjistrimit nuk ishte nënshkruar nga kryetari dhe të gjithë anëtarët e komisionit.
As regjistrimi i rregullt i pasurisë më 31 dhjetor 2024 nuk e përfshiu të gjithë pasurinë: nuk ishin regjistruar pasuritë e paluajtshme, mjetet jomateriale dhe automjetet. Gjithashtu, nuk ishte bërë harmonizimi i evidencës kontabël me gjendjen faktike.
Problem shtesë paraqet hapësira afariste prej 908,48 metrash katrorë në rrugën “Filipi i Dytë i Maqedonisë”, numër 11, në Shkup, e cila iu nda Ministrisë në gusht të vitit 2024. Edhe pse ekzistonte fletë pronësore, vlera e saj nuk ishte vlerësuar dhe hapësira nuk ishte regjistruar në librat afaristë.
Për objektet në Ohër, Kumanovë, Manastir, Tetovë dhe në rrugën “Kej Dimitar Vllahov” në Shkup, nuk ishin dorëzuar dëshmi për aktivitetet e ndërmarra për regjistrimin e së drejtës së shfrytëzimit në Kadastër. Gjithashtu, nuk ishte evidentuar ndryshimi pas ndërprerjes së shfrytëzimit të hapësirës në bulevardin “Kirili dhe Metodi”, numër 54, në Shkup, e njohur si objekti i ish-gazetës “Nova Makedonija”.
Pasuria nuk ishte e siguruar, ndërsa nuk u krye asnjë revizion i brendshëm
Në vitin 2024, Ministria nuk e kishte siguruar pasurinë e paluajtshme dhe pajisjet nga zjarri, fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, vjedhjet dhe dëmtimet. Kjo do të thotë se dëmet eventuale mund të mbuloheshin nga buxheti, në vend që të kompensoheshin nga sigurimi.
Prokurimi për sigurimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme ishte paraparë në planin e prokurimeve publike për vitin 2026.
Dobësi kishte edhe në kontrollin e brendshëm. Në njësinë për revizion të brendshëm punonte vetëm një person, këshilltar – revizor i brendshëm në trajnim, dhe gjatë vitit 2024 nuk ishte kryer asnjë revizion i brendshëm.
Të paplotësuara 43 përqind e vendeve të punës
Deri në ditën e njoftimit nga revizioni, 43 përqind e vendeve të sistematizuara të punës në Ministri nuk ishin plotësuar. Pozita drejtuese mungonin në katër nga dhjetë sektorët, ndërsa në gjashtë njësi nuk kishte asnjë të punësuar.
Revizioni u krye nga 3 nëntori 2025 deri më 16 prill 2026. Gjetjet e tij tregojnë nevojën për regjistrim të plotë të pasurisë, sqarimin e evidencës së pasurive të paluajtshme, regjistrimin në kohë të detyrimeve dhe respektimin më të rreptë të rregullave për prokurimet publike.
Fakti që revizorët nuk shprehën opinion për pasqyrat financiare nuk do të thotë se konstatuan se të gjitha të dhënat e paraqitura janë të pasakta, por se nuk kishin dëshmi të mjaftueshme dhe të përshtatshme për të konfirmuar besueshmërinë e tyre.
MDT: Shumica e problemeve janë të trashëguara
Ministria e Transformimit Digjital reagoi duke thënë se i shqyrton me vëmendje të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Entit Shtetëror të Revizionit, të cilat, siç thanë, i konsiderojnë instrument të rëndësishëm për përmirësimin e funksionimit institucional, disiplinës financiare dhe transparencës.
“Pjesa më e madhe e problemeve të konstatuara janë gjendje të trashëguara nga ish-Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), të cilat janë akumuluar ndër vite, disa prej tyre për më shumë se një dekadë. Ministria e re e Transformimit Digjital, e formuar në vitin 2024, trashëgoi evidenca jo të plota, çështje të pazgjidhura pronësore-juridike, procedura gjyqësore dhe lëshime administrative që më parë nuk ishin trajtuar siç duhet. Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ishte kryer një regjistrim i plotë dhe thelbësor i pasurisë, gjë që kishte shkaktuar mospërputhje serioze ndërmjet gjendjes faktike, evidencës kontabël dhe dokumentacionit në dispozicion. Objektet e përmendura me vlerë kontabël prej një denari janë pikërisht shembull i kësaj evidence të trashëguar dhe të parregullt, e jo tregues i vlerës së tyre reale të tregut”, thuhet në ragim.
Ata shtuan se Ministria tashmë po ndërmerr aktivitete për sqarimin e gjendjes pronësore, harmonizimin e evidencave, sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe vendosjen e rendit në menaxhimin e pasurisë shtetërore. Një pjesë e vërejtjeve thanë se tashmë janë tejkaluar, ndërsa për të tjerat po zbatohen masa konkrete korrigjuese.
“Përveç kësaj, Ministria trashëgoi edhe disa procedura gjyqësore që burojnë nga vendimet dhe detyrimet e krijuara në vitet e mëparshme. Këto raste po shqyrtohen veçmas, në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim zgjidhjen e tyre në përputhje me ligjin dhe minimizimin e pasojave financiare për buxhetin shtetëror. Bëhet fjalë për detyrime juridike dhe financiare që nuk zhduken me ndryshimin e drejtimit të institucionit, por duhet të zgjidhen me përgjegjësi.
Sa u përket gjetjeve për prokurimet publike, evidencën financiare dhe kontrollet e brendshme, Ministria tashmë i është përgjigjur Entit Shtetëror të Revizionit se bëhet fjalë për pagesa për prokurime të institucioneve të tjera, ku Ministria është shfrytëzuese e shërbimeve, si pastrimi dhe sigurimi i objekteve, udhëtimet zyrtare dhe shërbimet telefonike”, thuhet në reagim.
Ministria shton se janë të vetëdijshëm edhe për sfidat që lidhen me mungesën e kuadrit, të cilat ndërlikohen më tej për shkak të dallimeve në lartësinë e pagave ndërmjet sektorit shtetëror dhe atij privat të IT-së.
“Qasja jonë nuk është t’i fshehim problemet apo t’ia lëmë zgjidhjen e tyre një drejtimi të ardhshëm të institucionit. Përkundrazi, jemi të vendosur ta zgjidhim trashëgiminë institucionale, pavarësisht se sa gjatë janë lënë pas dore këto çështje. Ministria e Transformimit Digjital mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim me Entin Shtetëror të Revizionit dhe për zbatimin e rekomandimeve të tij. Detyrimi ynë është që, paralelisht me zhvillimin e shërbimeve të reja digjitale dhe modernizimin e shtetit, të ndërtojmë edhe një institucion me evidencë të rregullt, funksionim të ligjshëm dhe menaxhim të përgjegjshëm të mjeteve publike”, thonë nga MTD.