Erkan Arifit nuk i mjaftuan dy mandate që ta ndërtojë fabrikën e riciklimit në Komunën e Likovës ashtu siç premtoi

Ndërtimi i fabrikës për riciklimin e mbeturinave në Komunën e Likovës mbetet premtim i parealizuar i Erkan Arifit për dy mandate në krye të kësaj komune, shkruan Portalb.mk.

Në programin zgjedhor “Tek e blerta” 2021–2025, Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, premtoi se Komuna e Likovës do të angazhohet për ndërtimin e fabrikës për grumbullimin, transportin dhe riciklimin e mbeturinave komunale. Ky projekt i Komunës së Likovës synonte të përmirësojë gjendjen mjedisore dhe të krijojë kushte më të pastra dhe më të shëndetshme për të gjithë banorët.

Te pjesa zhvillimit ambient i pastër jetësor konkretisht në faqen 9 thuhet: 

“Përfundimi i ndërtimit të fabrikës për grumbullimin, transportin dhe riciklimin e mbeturinave komunale”.

Por, kjo fabrikë as nuk u ndërtua dhe as nuk u përfundua ashtu siç Arifi premtoi.

Gjithashtu, ai pati premtuar ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave edhe në programin zgjedhor “Bashkë për Komunën që duam” 2017-2020 . 

Te pjesa e zhvillimit bashkëpunim rajonal dhe kufitar konkretisht në faqe 10 thuhet: 

“Ndërtimin e fabrikës për reciklim të mbeturinave sipas marrëveshjes së nënshkruar tani mes regjioinit, komunave, ndërmarrjeve publike dhe Ministrisë së ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, përmes mjeteve nga BE, IPA Programi”.

Por, shtatë vite e gjysmë më vonë prej kur Arifi është në krye të Komunës së Likovës, kjo fabrikë nuk u ndërtua. 

Ndërkaq, Arifi do të kandidojë edhe për mandatin e tretë për të parin e Likovës.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Likovës se pse ende nuk është ndërtuar fabrika e riciklimit të mbeturinave, dhe se a është ende në planin e Komunës së Likovës, por nuk morëm përgjigjen për këtë premtim të parealizuar. 

As nga Ministria e Mjedisit Jetësor nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë çështje.

Kujtojmë se në Komunëne Likovës situata me mbeturinat mbetet alarmante. Deponi ilegale ka të krijuara gjithandej. Ndërsa për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre. Komuna e Likovës në qershor është arsyetuar se pastrimi i deponisë së egër bëhet rregullisht.