Rruga për në Kalanë e Tetovës e prishur dhe e rrezikshme: Premtimet për restaurim mbeten në letra, monumenti historik po shkatërrohet
Kalaja e Tetovës për vite me radhë është lënë pas dore dhe pa investime. Problem për të arritur deri në kala mbetet rruga e cila është e shkatërruar dhe pa rikonstruim, shpesh edhe e rrezikshme për qytetarët. Autoritetet me vite i kanë neglizhuar këto probleme dhe i kanë përdorur për pikë politike, por pa punë në terren, shkruan Portalb.mk.
Problemi i parë për tu ngjitur në kala mbetet rruga e cila është e shkatërruar dhe plot gropa. Nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë nëse kanë në plan rikonstruimin e saj.
Përvojë të hidhur me Kalanë e Tetovës pati qytetari N.I. i cili para pak javësh ishte nisur për në kala, e kishte lënë veturën anash rrugës dhe ishte ngjitur për në kala.
Por, kur u kthye, atij ia kishin çarë gomën e veturës. Ai tregoi se nuk e kishte çelësin për ta ndërruar gomën, andaj iu desh të priste disa orë deri sa të ja sillte një mik.
“Edhe këto pak vende që i kemi nuk janë të sigurta, rruga për tu ngjitur në kala është tepër e shkatërruar, pastaj pamjet atje lartë nuk janë aspak të kënaqshme, ndërkaq për të mos mbaruar me kaq ka edhe qytetarë keqbërës, mendoj se duhet të ketë më shumë siguri dhe autoritetet të gjejnë zgjidhje për këto probleme”, tha ai.
Nga Policia e Tetovës nuk kanë statistika të veçanta për atë se sa raportime për dëmtim të veturave ka përgjatë rrugës e cila të çon në kala.
Në ndërkohë, me të arritur në kala, pamjet nuk janë të bukura, kjo hapësirë historike dhe kulturore është lënë pa përkujdesje dhe pa investime me vite, pavarësisht premtimeve.
Nga organizata kulturore HUTA vazhdimisht kanë bërë thirrje që institucionet të investojnë në Kalanë e Tetovës.
Kryetari aktual i Komunës së Tetovës Bilall Kasami para se të vinte në krye të komunës pati premtuar restaurimin e kalasë, sigurimin e fondeve për gjurmime arkeologjike dhe krijimin e teatrit veror në kuadër të kalasë. Por këto mbeten premtime të parealizuara në terren.
Së fundmi rikonstruimi i Kalasë së Tetovës u bë temë debati politik, pasi shumica parlamentare VMRO-VLEN refuzoi amandamentin e opozitës nga Fronti Evropian (BDI) që në rebalancin e buxhetit kërkuan 30,750,000 denarë për rikonstruimin e Kalasë së Tetovës.
Kujtojmë që premtimet për investimet në kalanë e Tetovës në të kaluarën i ka shkelur edhe BDI. Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve parlamentare ata premtuan investime në Kalanë e Tetovës ku parashihej rikonstruimi, konservimi, restaurimi dhe revitalizimi i saj, por asnjë nga këto nuk u bë. Edhe në të kaluarën BDI ka pasur premtime për Kalanë e Tetovës, por pa rezultat.
Sot Kalaja e Tetovës vazhdon të mbetet një vend i braktisur, pa përkujdesje si dhe i lënë në harresë në vend se të ishte një lokalitet turistik atraktiv.
Kalaja është e dëmtuar dhe e shkatërruar në shumë vende, nuk ka ndriçim, infrastrukturë e dobët, aty shihen mbeturina, qen endacak, kafshë që kullotin dhe të tjera. Muret e kalasë janë të dëmtuara edhe nga brenda si dhe me mbishkrime të ndryshme.
Institucionet nuk e vrasin fare mendjen që t’i rikthejnë shkëlqimin këtij lokaliteti historik e kulturor, por e kanë lënë në harresë.
Përndryshe, Kalaja e Tetovës u ndërtua në vitin 1820, nga ana e Abdurahman Pashës. Sipas disa të dhënave gojore thuhet se fillimin e ndërtimit të këtij monumenti e nisi Rexhep Pasha i ati i Abdurahman Pashës dhe ndërtimi i saj zgjati afër 20 vjet. Pjesa e brendshme ka pesë saraje, kuzhina të mëdha, banja dhe një pus në mes të kalasë. Paraqet një ndikim të dukshëm të arkitekturës Osmane. Gjatë luftërave të ndryshme ajo pësoi rrënime të shumta.