Erdogani sinjalizoi se Turqia nuk është e gatshme të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, sinjalizoi të hënën se vendi i tij nuk është gati të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi duhet të bëjë më shumë në “detyrat e shtëpisë” që duhet të kryejë, transmeton VOA.

Duke folur pas një takimi të kabinetit, zoti Erdogan përsëriti dënimin ndaj djegies së Kuranit në Suedi javën e kaluar, duke e cilësuar veprimin si një krim urrejtjeje kundër muslimanëve.

“Ne e kemi bërë të qartë se lufta e vendosur kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vija jonë e kuqe”, tha zoti Erdogan. “Të gjithë duhet ta pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin apo duke u krijuar hapësirë terroristëve”.

Turqia ka shtyrë dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke e akuzuar Stokholmin se është shumë i butë ndaj demonstratave dhe grupeve anti-islamike që Ankaraja i konsideron si kërcënim për sigurinë.

Bëhet fjalë për grupe militante kurde që për disa dekada kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse në Turqi. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, ka zhvilluar një kryengritje 38-vjeçare kundër Turqisë që ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar PKK-në organizatë terroriste.

NATO-ja dëshiron që Suedia të bëhet anëtare ndërsa afron takimi i udhëheqësve të aleancës në Lituani me 11 dhe 12 korrik. Zoti Erdogan thotë se Stokholmi ka ende detyrime për të përmbushur.

NATO-ja kërkon miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare për t’u zgjeruar, ndërsa Turqia dhe Hungaria janë të vetmet që nuk e kanë ratifikuar ende kërkesën e Suedisë.

“Në vend të humbjes së kohës me taktika shpërqendruese, ne besojmë se mbajtja e premtimeve do të jetë një metodë më racionale dhe më e dobishme”, tha zoti Erdogan. “Ne i këshillojmë ata që t’i analizojnë gjërat dhe t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë”.

Presidenti Erdogan po i referohej një memorandumi që Suedia dhe Finlanda nënshkruan me Turqinë vitin e kaluar, sipas të cilit ata ranë dakord që t’i trajtonin shqetësimet e Ankarasë. Lufta kundër islamofobisë nuk ishte e përfshirë në memorandum.

Javën e kaluar, policia suedeze lejoi një protestë pranë një xhamie në qendër të Stokholmit duke cituar lirinë e shprehjes, pasi një gjykatë hodhi poshtë vendimin për të ndaluar djegien e Kuranit.

“Sulmi i ulët ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit të Shenjtë, në Stokholm, kryeqyteti i Suedisë, na zemëroi të gjithëve”, tha zoti Erdogan. “Kjo shpërfillje përverse ndaj ndjenjave të 2 miliardë muslimanëve nuk mund të jetë në përputhje me vlerat më themelore njerëzore, apo me lirinë e mendimit”.

Suedia dhe Finlanda braktisën qendrimet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, nga frika se mund të vihen në shënjestër nga Moska pasi Rusia sulmoi Ukrainën vitin e kaluar. Finlanda u bë anëtare e aleancës në fillim të këtij viti pasi parlamenti i Turqisë ratifikoi kërkesën e vendit nordik.

Suedia ndryshoi legjislacionin kundër terrorizmit që kur aplikoi për anëtarësim në NATO, por Turqia argumenton se mbështetësit e grupeve militante mund të organizojnë lirisht demonstrata, të rekrutojnë dhe të sigurojnë burime financiare në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thirri javën e kaluar një takim me zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda në përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake. Takimi është caktuar të mbahet më 6 korrik.