Meta fakt: Fondi për efikasitet energjetik ende nuk është krijuar, megjithëse është premtuar prej kohësh

Krijimi i Fondit për efikaitet energjetik është premtuar nga Qeveria prej disa vitesh, por aktivitetet për themelimin e tij nuk kanë përfunduar edhe sot e kësaj dite. Në Programin e Qeverisë për periudhën 2022-2024 është premtuar se ky fond do të krijohet me fonde granti nga Banka Botërore, por aktivitetet për realizimin e këtij premtimi janë ende në vazhdim, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në Programin e Qeverisë për 2022-2024, në faqen 17 thuhet:

“Në Bankën për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut do të themelohet një fond për efikasitet energjetik, përmes ofrimit të fondeve grant nga Banka Botërore, me qëllim të mbështetjes së zbatimit të masave për efikasitet energjetik në ndërtesat dhe institucionet publike në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”.

Qeveria e Maqedonisë ka kohë që paralajmëron themelimin e Fondit për efikasitet energjetik. Kështu, në seancën e qeverisë të mbajtur më 17 maj 2020, është miratuar informacioni lidhur me nevojën e lëshimit të shkresës pa kundërshtim për Projektin për efikasitet energjetik në Sektorin Publik, pas së cilës i është dorëzuar Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financa.

Ndryshe, themelimi i Fondit për efikasitet energjetik do të duhet të shënojë fillimin e rindërtimit të gjerë të ndërtesave dhe institucioneve publike në mbarë vendin, me qëllim zbatimin e masave të efikasitetit energjetik që synojnë uljen e konsumit të energjisë në sektorin publik.

Meta.mk, lidhur me premtimin e qeverisë për themelimin e Fondit për efikasitet energjetik, i ka dërguar pyetje Qeverisë së RMV-së, Ministrisë së Financave dhe Bankës Zhvillimore RMV-së, në kuadër të së cilës duhet të vendoset vetë fondi.

Nga Banka Zhvillimore e RMV-së informojnë për Meta.mk se janë në vazhdim e sipër aktivitetet e Ministrisë së Financave për themelimin e Fondit për efikasitet energjetik, si dhe përcaktimi i mënyrës për funksionimin dhe financimin e tij.

Nga Banka Zhvillimore shtojnë se Ministria e Financave është përgjegjëse për koordinimin e aktiviteteve për zbatimin e projektit për krijimin dhe mënyrën e funksionimit të Fondit për efikasitet energjetik.

“Sipas Ligjit për borxhin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me kredi nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim-Banka Botërore sipas Marrëveshjes për hua për financimin e projektit për efikasitet energjetik në sektorin publik si përfitues i kredisë, BZhMV renditet ndër përfituesit e tjerë dhe theksohet se në strukturën e tij do të krijohet Fondi për efikasitet energjetik. Ky fond bazohet në komponentin e tretë të projektit për efikasitet energjetik në sektorin publik, i financuar me kredi nga Banka Botërore”, bëjnë të ditur nga Banka për Zhvillime  RMV.

Përkundër faktit se në dy raste i kemi dërguar pyetje me e-mail Ministrisë së Financave (21 dhe 26 Qershor), si dhe Qeverisë së RMV-së (8, 15 dhe 26 qershor) për të pyetur se deri ku është arritur procedura për themelimin e Fondit për efikasitet energjetik, në kuadër të Bankës Zhvillimore të RMV-së nuk kemi marrë përgjigje nga Qeveria dhe Ministria e Financave.

Megjithatë, në bazë të përgjigjeve që kemi marrë nga Banka Zhvillimore, mund të konstatohet se Fondi për efikasitet energjetik nuk është krijuar deri më sot. Për shkak se kemi marrë përgjigje se aktivitetet për themelimin e tij janë në vazhdim e sipër nga Ministria e Financave dhe premtimi nga programi i qeverisë ka afat për realizim deri në vitin 2024, konstatojmë se ky premtim i qeverisë është në proces të realizimit.