Erdogan ndihet keq në intervistë “live“

Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan iu desh të anulonte të gjitha takimet elektorale të kësaj të mërkure, për zgjedhjet e 14 Majit, raporton Klan.

Kreu i shtetit turk u ndje keq gjatë një interviste me disa gazetarë që transmetohej drejtpërdrejt në televizionet vendase, mbrëmjen e të martës. Kamerat nuk e fokusuan momentin kur ai u ndal së foluri, por që Erdogan u ndje keq kjo dallohet edhe në reagimin e këtij gazetari.

Përmes një reagimi në Twitter, 69-vjeçari thotë se i duhej të qëndronte në shtëpi këtë të mërkurë, pasi ia kishin rekomanduar mjekët. Në mesazhin e tij, Erdogan shprehet se kishte pasur dhimbje të forta stomaku.

Ndikim në këtë moment dobësie mund të ketë pasur edhe lodhja nga takimet intensive elektorale për zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare që zhvillohen në të njëjtën ditë.

Vitet e fundit kanë qarkulluar informacione se Erdogan vuan nga probleme të rënda shëndetësore, të cilat vetë kreu i shtetit turk i ka mohuar kategorikisht.