“Era” u prezantua para publikut të Shkupit: Një udhëtim i fuqishëm në histori

Mbrëmë në Qendrën Kulturore të Rinisë Kino Frosina në Shkup, u shfaq premiera e filmit artistik Era” i regjisores së njohur Parta Kelmendi. Kjo premierë solli para publikut një projekt kinematografik që tashmë ka fituar vëmendjen e festivaleve ndërkombëtare dhe është pritur me interes të madh në rajon. “Era” u mirëprit nga të pranishmit, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e kinemasë shqiptare për të sjellë histori të fuqishme dhe artistikisht të realizuara, shkruan Portalb.mk.

Regjisorja e filmit Parta Kelmendi për Portalb.mk tha se filmi u prit me shumë emocion nga publiku.

“Premiera e Erës në Shkup mbrëmë u prit shumë mirë. Publiku ishte fantastik dhe pati shumë reagime pozitive. U takuam me miq, kolegë e artistë nga Shkupi. Ishte një natë me energji të bukur dhe pritje shumë të ngrohtë”, tha Kelmendi.

Foto nga prezantimi i filmit “Era” në Shkup. Foto: Parta Kelmendi
Foto nga prezantimi i filmit “Era” në Shkup. Foto: Parta Kelmendi

Shfaqja e “Era” në Shkup u prit me reagime pozitive, ndërsa publiku e përjetoi filmin me një ndjeshmëri të veçantë, duke e vlerësuar mjeshtërinë regjisoriale të Kelmendit dhe lojën e aktorëve. Pas filmit, të pranishmit patën mundësi të diskutojnë për procesin krijues dhe mesazhin e veprës, duke e kthyer mbrëmjen në një moment të rëndësishëm dialogu kulturor.

Premiera e e filmit në Shkup, e vendos “Era”-n edhe një herë në fokusin e publikut dhe profesionistëve të kinemasë, si një film që jo vetëm sjell histori dhe kujtesë, por edhe afirmon rolin e artit në pasurimin shpirtëror dhe kulturor të shoqërisë.

Pas Prishtinës dhe Shkupit, filmi do të prezantohet edhe në Prizren, Tiranë dhe më pas në disa qytete europiane, duke e zgjeruar kështu rrugëtimin e tij drejt një audience më të gjerë ndërkombëtare.