Grupi i ri i vullnetarëve të Korpusit të Paqes në RMV dha betimin për shërbim

Sot 48 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut dhanë betimin solemn. Këta amerikanë i bashkohen një grupi prej më shumë se 940 shtetasve amerikanëve që kanë shërbyer si vullnetarë në vendin tonë që nga viti 1996. Vullnetarët e Korpusit të Paqes kanë punuar pothuajse në të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut duke bashkëpunuar me arsimtarë, nxënës dhe organizata, transmeton Portalb.mk.

Në ceremoni morën pjesë ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, kryetarja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z-nja Gordana Siljanovska Davkova, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zoran Perinski, si dhe përfaqësues të komunave, drejtorë shkollash dhe bashkëpuntorë të tjerë. Të pranishëm ishin edhe familjet nikoqire të vullnetarëve me të cilët ata jetuan për 3 muaj gjatë trajnimit dhe bashkëpunëtorët me të cilët do të punojnë kur të fillojnë shërbimin dy vjeçar të shtunën më 6 dhjetor.

Në kuadër të trajnimit përgatitor, vullnetarët jetuan në familje nikoqire, duke mësuar gjuhën dhe kulturën maqedonase dhe shqipe. Ata gjithashtu patën mundësinë për trajnime praktike duke dhënë mësim në shkollat lokale dhe duke ndihmuar në organizatat joqeveritare lokale.

‘’Jam i lumtur të shoh sot të betohet një ndër grupet më të mëdha të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut. Që nga viti 1961, kur u themelua Korpusi i Paqes, vullnetarët anemban botës kanë zgjedhur t’i kushtojnë dy vjet të jetës së tyre për të shërbyer ndaj një qëllimi më të madh, qëllimit të një bote paqësore dhe të demonstrojnë frymën e shërbimit. Kjo do të thotë që çdo ditë që ata janë këtu në Maqedoninë e Veriut, ata bashkëveprojnë me familjen e tyre nikoqire, me shkollën ose institucionin e tyre dhe të gjithë komunitetin e tyre. Ata ofrojnë aftësi, bëjnë miq, krijojnë lidhje. Pas dy vitesh, ata janë ndryshuar dhe kanë ndryshuar njerëzit me të cilët kanë bashkëvepruar”, tha Dejvid Risajd, drejtor i Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë qëndrimit të tyre dyvjeçar në Maqedoninë e Veriut, vullnetarët do të punojnë si arsimtarë të gjuhës angleze në shkolla, si dhe në fushat e arsimit special dhe zhvillimit të komunitet – në organizata joqeveritare dhe komuna. Korpusi i Paqes ka bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët e tij lokalë dhe kombëtarë dhe i zbaton programet e tij në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Korpusi i Paqes ka tre qëllime: të ndihmojë vendet që kanë nevojë për individë të kualifikuar për të ofruar ndihmë teknike, të ndihmojë në promovimin e një kuptimi më të mirë të popullit amerikan përmes vullnetarëve, dhe të ndihmojë në promovimin e një kuptimi më të mirë të popujve të botës në SHBA. Përmes këtyre aktiviteteve, vullnetarët e Korpusit të Paqes punojnë për të forcuar paqen në bashkësinë ndërkombëtare dhe për të krijuar një kuptim më të mirë midis njerëzve me kultura dhe tradita të ndryshme.