Epidemi korrupsioni në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Në të kundërtën, nësë ky proces i reformimit dhe ndërtimit të një shteti ligjor lihen në vullnetin tonë të lirë, rezultatet nuk do të jenë të ndryshme nga ato që kemi pasur deri më tani.

Shkruan: Murat Aliu

Burimi: Respublica

Në literaturë ekzistojnë përkufizime të shuma në lidhje me korrupsionin. Kështu sipas Bankës Botërore, korrupsioni përkufizohet si shpërdorim i pushtetit publik për interesa private. Prandaj në kuptimin e ngushtë të fjalës korruspion llogaritet nëse një zyrtar publik kërkon ose pranon ryshfet për përfitime personale. Ndërkaq në kuptimin e tij të gjërë, korrupsioni përkufizohet si keqpërdorim të burimeve publike për llogari personale, grupore apo partiake.

Megjithatë nocioni  i korrupsionit për nga forma, esenca dhe përfshirja nuk është universal. Sepse dallon shumë nga vendi në vend, nga kultura në kulturë dhe madje nga një rajon i vendit në tjetrin.

Arsyet e përhapjes dhe prezencës së korrupsionit mundë të jenë të ndryshme. Tre nga arsyet kryesore të paraqitjes së fenomenit korrupsionit ka të bëjë me mospasjen e një tradite shtetërore të gjatë, pra institucionet fragjile dhe jo të konsoliduara, varfëria dhe niveli i ulët i vetëdijes shoqërore.

Sipas në studimi të publikuar nga Fondi Mondertar Ndërkombëtarë korrupsioni është më i zakonshëm në ekonomitë në tranzicion dhe vendet në zhvillim. Thuhet se mbizotërimi i korrupsionit këtu nuk ka të bëj sepse njerëzit janë të ndryshëm, por sepse janë krijuar kushtet për korrupsion. Si në shumë vende, dëshira për të fituar para është e fortë në këto vende. Brishtësia e infrastukturës ligjore dhe mbi të gjitha mungesa e burimeve stimulojnë veprimet antiligjore, pra veprimet korruptive nëpër institucionet shtetërore.

Njerëzit në përgjithësi vuajnë nga mungesa e parave. Rrjedhimisht përgjegjësia qoftë penale qoftë politike është e dobët në këto vende. Liritë politike dhe civile shpesh janë të kufizuara.

Nga ana tjetër korrupsioni është edhe një fenomen kulturorë. Në shoqëritë ku mungon vetëdija qytetare, pra vetëdija për demokracinë, shtetin ligjor dhe ku niveli i cilësisë së arsimit është i ulët fenomeni i korrupsionit është shumë prezentë. Prandaj do të ishte disi e padrejtë që të fajsohen vetëm institucionet shtetërore, sepse edhe vetë qytetarët janë të prirur për t’u përfshirë në akte korruptive për qëllime të caktuara, kryesisht për përfitime personale. Thënë shkurtë korrupsioni ndër të tjerash është edhe fenomen kulturorë.

Gjendja me nivelin e korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut vitet e fundit, veçmas vitin që lëmë pas, vërtetë është alarmante dhe tepër shqetësuese. Ne fakt, korrupsioni është fenomeni i cili e ka shoqëruar vendin tonë që nga fillimi i pavarsisë deri në ditët e sodit. Për më tepër korrupsioni ka qenë dhe është problemi kryesorë që pengon ndërtimin e një shteti të mirëfilltë ligjorë dhe ndërtimin e një shoqërie evropiane. Si të thuash është një kancer që ka krijuar metastazë në të gjithë trupin, shërimi i të cilit është tejet i vështirë, mbase edhe i pamundur.

Korrupsioni ngirti alarmin edhe tek faktori ndërkombëtarë

Aktualiteti në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë viteve të fundit, veçmas përgjatë vitit 2023 u shoqërua me skandale  të korrupsionit të lartë dhe skandalet e pushtetarëve të cilët ishin të përfshira në afera korruptive të ndryshme. Në fakt, problemi themelor qëndron në mos sanksionimin dhe mos pasjen e përgjegjësisë penale dhe politike për të gjithë atë që kanë shkelur ligjin e që besa ky është një fenomen i përditëshëm.

Niveli i lartë i korrupsionit dhe përfshirja në të shumtën e rasteve e qeveritarëve në afera korruptive  ka shqetësuar dhe alarmuar edhe aleatët tanë ndërkombëtare. Pra, si asnjëherë më parë përfaqësues të vendeve të BE-së dhe SHBA-së publikisht denoncojnë fenomenin e korrupsionit i cili është përhapur pothuajse në cdo cep të shoqërisë.

Kështu në muajin Tetor ambasadori i Holandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Dirk Jan Kop, pyeti qeverinë se “ku shkuan paratë e taksapaguesve tanë?”, duke aluduar në keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga institucionet shtetërore, përkatësisht nga udhëheqësit të këtyre institucioneve.

Për ambasadorin, Jan Kop, niveli i lartë i korrupsionit dhe politikanët e korruptuar janë fajtorët kryesorë për ngecjen e implementimit të reformave në vend dhe rrjedhimisht edhe fajtorë për ngecjen e procesit të antarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Për të rumbullaksuar, ambasadori Jan Kop gjithashtu si askush tjetër me parë, shumë shkurt dhe qartë tregoi edhe mendësinë tonë provincialiste dhe anti-evropiane ku tha që  keqpërdorimi i fondeve të BE-së jep mesazhin e qartë se “ju i duani paratë e BE-së, por jo vlerat e saj”.

Ambasadori me këtë shprehje përshkruajti (ndër)vetëdijen dhe kulturën tonë ballkanike e cila në esencë është antitezë e kulturës evropiane. Nga ana tjetër ambasadori na e bëri me dije që ne me intrigat, manipulimet dhe bizaritetet tona ballkanike nuk mundë t’i mashtrojmë shtetet e Bashkimit Europian, se ato janë të vetëdijshëm për gjithë atë që ne bëjmë këtu dhe për aq kohë sa ne nuk do t’i zbatojmë reformat e duhura dhe nuk do të luftojmë krimin e korrupsionin, për ne BE do të ngelet vetëm një ëndër.

Kjo mbase është deklarata më e drejtëpërderjtë e bërë nga një diplomat i huaj në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të paktën këto viteve të fundit. Këto fjalë Jan Kop, flasin seriozitetin e situatës në vend dhe njëkohësisht dhe për shqetësimin e thellë të faktorit ndërkombëtarë në lidhje me nivelin e korrupsionit dhe papërgjegjshmërinë e qeveritarëve në vend.

Për të betonizuar të vërtetën mbi nivelin e lartë të korrupsionit, përfshirjen e politikës në aktivitete korruptive dhe indiferencën e institucioneve shtetërore, veçmas sistemit gjyjësorë për të luftuar korrupsionin flet edhe Raporti i Komisionit Evropian për Progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.

Pothuajse për të gjitha fushat në raport notat ishin shumë të dobëta, por ne do të ndalemi vetem tek fusha që në mënyrë direkte është e lidhur me luftën kundër  korrupsionit dhe krimit e që ka të bëjë me sundimin i ligjit dhe të drejtat themelore. Në këtë pikë raporti i KE-së në mënyrë taksative thekson që Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar asnjë përparime. Për të qenë më të qartë në fushën e funksionimi të sistemit gjygjësorë raporti thotë që “nuk është bërë përparim në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore.”

Po e njejta gjë thuhet edhe në kapitullin ky flitet për luftën kundër korrupcionit. Sipas raportit edhe në këtë fushë, “nuk është bërë asnjë përparim. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese. Vonesat dhe riprogramimi i gjykimeve të korrupsionit të nivelit të lartë u rritën, duke rezultuar në disa raste të parashkruara”. Në këtë pikë vërejtja kryesore e KE-së, dhe jo vetëm, ka të bëjë me ndryshimet në kodin penal ky u dukshëm u zbutën dënimet për keqpërdirimet në detyrë zyrtare nga ana e zyrëtarëve shtetëror.

Njohësit dhe eskpertët ishin të njëzëri se ky është raporti më negativ që ndonjëherë Maqedonia ka marrë nga BE. Sipas ekspertes nga Instituti për Politika Evropiane, Malinka Ristevska Jordanova, “ky është padyshim një ndër raportet më kritikë që i ka marrë shteti ynë prej kur Komisioni Evropian e vlerëson progresin e saj në reformat lidhur me BE-në.” Notat për fushat dhe kapitujt kyçe janë posaçërisht të këqija. Raporti në vetëvete shpreh shqetësimet serioze të Bashkimit Europian dhe urgjentishit duhet të aktivizohet alarmi.

Ky shqetësim veçmas vlen veçmas në lidhje me ndikimet e jashtme mbi Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqësinë dhe për ndryshimet e Kodit Penal me të cilat u vjetërsuan një numër i madh i lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike.

Raporti për vitin 2023 edhe nga opozita në vend u cilësua si “raporti më negativ” për Maqedoninë e Veriut që nga viti 2009. Kështu  sipas partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO DPMNE, raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023, është më negativi deri më tani. Nga partia VMRO DPMNE deklaruan se raporti nuk shënon asnjë lloj përparimi në cilën do fushë dhe si i tillë ky raport qeverinë e noton me notën 1.

Pothuajse me qendrim identik u shfaqën edhe partitë opozitare shqiptare,  të cilat e vlerësuan si “raportin më të keq që ka marrë ndonjëherë Maqedonia e Veriut.”

Epidemi korrupsioni

Niveli i lartë i korrupsionit në vend, jo vetëm që u trajtua nga BE-ja, por për më tepër është shndërruar në objektivin kryesorë edhe të Departamentit të shtetit amerikan. Vetë ambasadorja e SHBA-ve në vend dhe përfaqësues tjerë amerikan, në disa raste me një gjuhë “jo diplomatike” dhe në mënyrë eksplicite adresuan fenomenin e korrupsionit në vend. Në fakt që në fillim kur Angela Ageler u emërua si ambasadore e SHBA-ve në vend, deklaroj që prioriteti i saj dhe shtetit amerikan gjatë këtij mandati do të jetë lufta kundër korrupsionit. Dhe nuk vënoj shumë, Departamenti i shtetit Amerikan, kryetarin aktual të komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe pak më vonë ish zv. kryeministrin në qeverinë e parë të Zaevit, Koço Angjushev, i shpalli “person non grata”.

Arsyetimi i Departamentit amerikan të shtetit ishte se që të dy (si edhe disa antarë të famijeve të tyre) ishin të përfshirë në afera korruptive, keqpërdorim të detyrës zyrtare për interesa private e biznesore dhe ndërhyrje në sistemin gjygjësorë në formën e presioneve ndaj gjykatësve për të penguar hetimet në lidhje me aktivitetet e tyre antiligjore.

Ndërkaq deklarata më e drejpërdrejtë dhe më objektive në lidhje me korrupsionin që mbretëronë në vendë, erdh nga ambasadorja e SHBA-ve,  Angela Ageler, e cila muajin e kaluar deklaroj se “në 10 vitet e fundit ka rritje të konsiderueshme të korrupsionit në vend, duke përsëritur konstatimin se, në Maqedoni ka epidemi të korrupsionit në çdo sektor dhe në çdo organizatë”. Përshkrimi i situatës si “epidemi të korrupsionit” nga ambasadorja e SHBA në vetvete flet shumë për seriozitetin e situatës.

A mundë ta luftojmë korrupsionin ne?

Për hirë të së vërtetës nuk është që kanë munguar raportet, hulumtimet, denoncimet për fenomenin e korruspionit që gërryen shoqërinë tonë që nga vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar. Realisht korrupsioni enorm që ka përshkruar këto 30 e ca vjetë të pavarësisë sonë nuk është që është i panjohur për shoqërinë. Pyetja qëndrore që duhet parashtruar këtu është pse edhe pas 30 viteve ne nuk arrijmë të ndërtojmë institucione të qëndrueshme të cilat do të jenë të afta të luftojnë këtë kancer që ka paralizuar gjithë shtetin e shoqërinë?

Shpesh herë njohësit dhe ekspertët flasin për infrastrukturën ligjore jo adekuate, politikat e gabuara shtetëore etj. Kjo mbase është e vërtetë, sa herë ka hapësirë për intervenime në kuadrin ligjor dhe përmirësimin e strategjive dhe politikave për luftimin e korrupsionit.

Por e vërteta është krejt ndryshe. Maqedonia e Veriut realisht ka infrastrukturë solide ligjore për të luftuar korrupsionin dhe krimin. Pra nuk është që mungoj dija- ajo që mungon është vullneti politik.

Për më tepër problemi qëndron në botëkuptimet tona se si ne, përkatësisht estabilishmenti politik e koncepton politikën, shtetin dhe shoqërinë. Pra problemi kryesor qëndron në atë si ne e koncpetojmë demokracinë, shtetin ligjorë, e drejtën, lirinë, barazinë, meritokracinë etj. E në këtë pikë duke marrë parasysh sjelljet tona këto 30 vitet e fundit duke qartë që në koncepcionin tonë korrupsioni nuk përbën ndonjë problem dhe është në harmoni të plotë me nocionet e lartëpërmendura.

Nga këtu rezulton se fenomeni i korrupsionit në të gjitha format e tij është një problem që buron nga vetëdija dhe kultura jonë ballkanike. Nëse burimi kryesor i përhapjes së korrupsionit është vetëdija e ulët qytetare dhe kultura jonë ballkanike, atëherë lufta kundër këtij fenomeni lidhet domosdoshmërisht me ndryshimin e kësaj vetëdije dhe kulture. Shikuar nga një këndvështrim sociologjik, ndryshimi i vetëdijes së shoqërisë në kuptimin e një tranformimi kulturor dhe mendorë është një proces kompleks që implikon ndërhyrjen e mekanizmave të ndryshëm shtetëorë e soical.

Por, nga një këndvështrim i përgjithshëm, arsimimi formal dhe joformal dhe forcimi i shoqërisë civile duhet të luajnë një rol kyç në këtë drejtim. Në këtë kuptim, krijimi i një sistemi arsimor i orientuar drejt vlerave evropiane dhe drejtë kultivimit të kulturës së të menduarit kritik paraqitet si një domosdoshmëri. Gjithashtu, forcimi i shoqërisë civile në kuptimin e saj të përgjithshëm, si antitezë e pushtetit politik dhe si hapësirë ​​e mendimi kritik, luan një rol të madh në ndërgjegjësimin e shoqërisë për përgjegjësinë civile dhe publike.

Mëgjithatë përtej këtij projeksioni idealist, lind pyetja nëse ne si shoqëri jemi të aftë të ndërtojmë një shtet ligjor dhe institucione të qëndrueshme e demokratike, të paktën në një periudhë afatmesme? Sipas përvojës së deritanishme, dhe duke parë dinamikat e përgjithshme sociale, kulturore dhe politke një gjë e tillë duke gati se e pamundur.

Ajo që duket në horizont është se aktorët politik, por jo vetëm, pra ne shoqëri, jemi shumë largë dëshirës dhe aftësisë për një ndyshim të status quo-s. Duke qenë kështu, atëherë lind pyetja cila është zgjidhja? Zgjidhja e vetme që ne si shoqëri të lëvizmi sa do pak është integrimi i vendit në BE. Pra, integrimi i vendit në BE duket se është shpresa e vetme për të ndërtuar një shtet ligjor, shtet të mirëqenies dhe demokratik.

Natyrisht, kjo nuk nënkupton që BE me një shkop magjik do të na përndrisë brenda natës dhe se ne do të jemi të përjashtuar nga ky proces. Kur thuhet që e vetmja zgjidhje për të dal nga kjo gjendje ku mbizotëron paligjshmëria është vetëm integrimi në BE, nënkuptohet fakti që vetëm nën një presion dhe vëzhgim të fuqishëm të BE mundë të arrim një nivel të majftueshëm të krijimit të institucioneve demokratike dhe europiane. Në të kundërtën, nësë ky proces i reformimit dhe ndërtimit të një shteti ligjor lihen në vullnetin tonë të lirë, rezultatet nuk do të jenë të ndryshme nga ato që kemi pasur deri më tani.