Elita dhe fuqia e pakorruptuar

Në poemat dhe tregimet e Edgar Allan Poe-s (1809–1849) mbizotëron atmosferë ankthi, terri, tmerri dhe misteri.

Tregimi “Maska e Vdekjes së Kuqe” (1842) na kujton thënien latine “Memento mori” (“Kujto vdekjen!”).

Princi Prospero, kur sheh se tokat e tij shpopullohen nga epidemia e quajtur “Vdekja e Kuqe” (si aludim për murtajën e mesjetës, të njohur si “Vdekja e Zezë”), bashkë me oborrtarët mbyllet në kështjellë të fortifikuar e të furnizuar me gjithçka, duke besuar se do t’i shpëtojë sëmundjes dhe se “bota e jashtme do t’i rregullonte punët si të mundte”. (Përktheu: Anila Xhekaliu)

“Princi ua kish plotësuar të gjithëve dëshirat e qejfit. Kish aty palaço, kish sajues, valltarë, muzikantë, ishte e bukura në të gjitha format, kishte verë. Brenda, ishin gjithë këto gjëra të magjishme, dhe siguria. Jashtë, Vdekja e Kuqe. Ishin nga fundi i muajit të pestë a të gjashtë të skutës, madje koha kur kopani bënte kërdinë jashtë me më shumë tërbim, kur princ Prospero u dha një mijë miqve të tij një ballo maskash me dafrungën më të jashtëzakontë”.

Sakaq në ballo shfaqet figura misterioze me maskë të kuqe dhe shkakton te të pranishmit përshtypje të keqe.

Princit Prospero, që jeton në botë paralele me botën reale, shfaqja e të huajit i duket si tallje blasfemuese. I acaruar, ai i afrohet fantazmës me kamën e zhveshur, por sakaq bie i vdekur. Të pranishmit kapin të panjohurin, i cili qëndron si statujë e madhe dhe e palëvizshme “në hijen e orës së murit prej abanozi”, por sakaq kaplohen “nga një tmerr pa emër, kur panë se nën qefinin dhe maskën e kufomës, që e kishin mbërthyer me një energji të dhunshme, nuk kishte asnjë trajtë njeriu”. Dhe atëherë e kuptojnë praninë e Vdekjes së Kuqe, që “kishte ardhur si një hajn nate”.

Secili jep shpirt. “Dhe Errësira, dhe Rrënimi, dhe Vdekja e Kuqe vunë mbi të gjitha gjërat pushtetin e tyre të pakufizuar.”

Figura misterioze simbolizon pashmangshmërinë e vdekjes, që nuk kontrollohet nga askush. Ajo mposht secilin, pavarësisht planeve apo statusit klasor e shoqëror. Vdekjen s’mund ta ndalojnë pasuria, pushteti apo mbyllja.

Ngjyrat e dhomave simbolizojnë fazat e jetës: lindjen, fëmijërinë, rininë, pleqërinë dhe vdekjen.

Ora e zezë simbolizon kalimin e kohës dhe afrimin e fundit.

Tregimi mund të interpretohet në shumë mënyra. Një interpretim mund të jetë edhe ky: ndërsa vendi shkatërrohet, elita argëtohet. Të fuqishmit nuk e vlerësojnë jetën e njerëzve të zakonshëm, por i shohin vetëm si statistika ose si mjete për të realizuar qëllimet e tyre.

Megjithatë, ka fuqi që nuk korruptohen, siç janë sëmundja dhe vdekja. Ato nuk njohin asnjë elitë. Pabarazitë mund të ekzistojnë në tokë, por sëmundja dhe vdekja nuk bëjnë dallime klasore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.