Kolonia “William Walker” në Reçak bashkon artistë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe rajoni

Nga data 29-31 korrik, Reçaku do të mirëpresë Koloninë Ndërkombëtare të Artit “William Walker”, e cila do të mbledhë artistë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Austria dhe shtete të tjera. Ngjarja synon të ndërthurë artin me kujtesën historike, duke e shndërruar Reçakun në një hapësirë dialogu, krijimtarie dhe promovimi të vlerave universal, shkruan Portalb.mk.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në ora 17:00 në Kullën e Lirisë në Reçak, ndërsa gjatë ditëve të kolonisë artistët do të realizojnë vepra të frymëzuara nga historia, identiteti dhe mesazhet e paqes.

“Ajo që e veçon këtë edicion të parë është misioni, një betim mbi ngjyra për të ruajtur dhe nderuar kujtesën e Reçakut. Risia kryesore që sjell kjo koloni është bashkimi i zërave dhe shpirtrave artistikë nga hapësira të ndryshme, për ta kthyer dhimbjen e historisë në një vepër arti të përjetshme, duke dëshmuar se arti nuk ka anë, por ka vetëm vlerë dhe të vërtetë që nuk mund të mbetet në terr. Gjatë këtyre ditëve, artistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të punojnë së bashku, duke sjellë secili copëza nga shpirti dhe identiteti i tij krijues, për të gdhendur qëndresën tonë në ngjyra dhe forma. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin nga afër procesin e krijimit të veprave, të ndiejnë energjinë e kolonisë dhe të përjetojnë një homazh të fuqishëm të jetës që triumfoi mbi vdekjen”, deklaroi Jetishi.

Sipas Jetishit, synimi është që veprat e krijuara në Reçak të flasin përtej kohës dhe të mbeten si dëshmi e kujtesës historike.

“Pritshmëritë e mia lidhen drejtpërdrejt me amanetin e kësaj toke, që veprat e krijuara këtu të flasin më fort se çdo heshtje dhe të lënë gjurmë të pashlyeshme. Besoj fort se kjo koloni do t’u japë një hapësirë meritore artistëve për të treguar se arti është gjuha më e fuqishme e paqes, kujtesës dhe promovimit të vlerave të vërteta njerëzore e kombëtare”, tha Jetishi.

Pjesëmarrës në koloninë artistike do të jetë edhe piktori nga Maqedonia e Veriut, Astrit Rexhepi, i cili tha për Portalb.mk se pjesëmarrja në këtë aktivitet ka rëndësi të veçantë.

“Për mua, pjesëmarrja në edicionin e parë të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit ‘William Walker’ ka një domethënie të veçantë. Vetë emri i William Walker mbart një peshë të madhe historike dhe simbolike për popullin shqiptar, ndërsa kolonia paraqet një mundësi të shkëlqyer për të përjetuar atmosferën krijuese që lind nga puna kolektive, shkëmbimi i ideve dhe bashkëpunimi me artistë të ndryshëm. Ky mesazh i së vërtetës, humanizmit dhe drejtësisë është një burim frymëzimi që më shtyn t’i reflektoj këto vlera edhe përmes artit tim”, tha Rexhepi.

Rexhepi bëri të ditur se në Reçak do të realizojë një vepër me motiv kombëtar, e cila do të trajtojë identitetin, kujtesën historike dhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar. Ai theksoi se koloni të tilla krijojnë mundësi të rëndësishme për afirmimin e artistëve të rinj dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Koloni të tilla janë jashtëzakonisht të rëndësishme, veçanërisht për ne artistët e rinj. Ato na japin mundësinë të afirmojmë krijimtarinë tonë, të prezantojmë artin shqiptar në një kontekst ndërkombëtar dhe të krijojmë ura bashkëpunimi me artistë nga vendi dhe bota”, përfundoi Rexhepi.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit “William Walker” synon të shndërrohet në një aktivitet tradicional kulturor, duke bashkuar artistë nga vende të ndryshme dhe duke e promovuar Reçakun si një hapësirë ku kujtesa historike dhe arti takohen për të përcjellë mesazhe paqeje, humanizmi dhe bashkëpunimi.

Artistët pjesëmarrës në Koloninë Ndërkombëtare “William Walker”
Artistët pjesëmarrës në Koloninë Ndërkombëtare “William Walker”