Elisabeta Bajrami Ollogu: Shkencëtaret shqiptare ballafaqohen me sfida të dyfishta, feminizmi mbetet një nga lëvizjet më të keqkuptuara midis shqiptarëve
Në ditën e fundit të vitit 2024 Portalb.mk sjell intervistën me Elisabeta Bajrami Ollogun, kryetaren e Rrjetit të Grave në Shkencë në RMV. Ajo foli për sfidat, problematikat më të cilat ballafaqohen gratë në shkencë dhe sa vendi ofron kushte për zhvillimin e shkencës.
Portalb.mk: Kemi dëgjuar se në Maqedoninë e Veriut ka më shumë gra shkencëtare se burra, megjithatë në publik dhe opinion shohim shumicën e kohës paraqitjen vetëm të burrave, me përjashtime të vogla, pse ndodh kjo?
Elisabeta Bajrami Ollogu: E shoh të arsyeshme që duhet fillimisht të përcaktojmë se për cilat gra flasim, pra kush janë gratë shkencëtare apo gratë që merren me shkencë. Në shoqërinë tonë ekziston ende një i kuptuar i cunguar në lidhje me këtë. Shpesh imazhi që kemi për gratë që merren me shkencë është duke i imagjinuar ato në laboratorë apo institute kërkimore me veshjet e bardha tipike profesionale, pra kryesisht të lidhura me hulumtimin në shkencat ekzakte. Në shoqëritë bashkëkohore ka një përcaktim më të gjerë të grave shkencëtare pavarësisht përpjekjeve institucionale për të rritur numrin e grave në 4 fusha kryesore ose të njohura si gratë në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë). Sot gratë shkencëtare i gjejmë në më shumë fusha kërkimore.
Më e mira do të ishte të portretizohen si gra të cilat japin kontribut në edukim dhe hulumtim shkencor dhe i shërbejnë progresit të përgjithshëm shoqëror me punën dhe përpjekjet e tyre. Përsa i përket vendit tonë, është e vërtetë që ka një numër të rritur të grave shkencëtare, kjo në sinkron edhe me statistikat që tregojnë se në arsimin e lartë universitar vajzat dhe gratë po zënë përherë e më tepër përqindjen më të madhe.
Nuk mendoj që paraqitjet publike reflektojnë gjithmonë nivelin e shkencëtarëve (burra apo gra) qofshin. Megjithatë, është fakt se gratë janë më pak të pranishme në hapësirën publike dhe kjo ndodh për disa arsye. Besoj fort se arsyeja kryesore është barra apo ngarkesa të cilën gratë e kanë teksa duhet të balancojnë mes jetës së tyre profesionale dhe personale (familjare).
Një arsye e dytë mendoj se është e lidhur me paragjykimet që shoqëria ka teksa i sheh shumicën e profesioneve në fushat e kërkimit shkencor si të lidhura me burrat dhe kjo kultivohet përgjatë rritjes dhe socializimit natyrshëm edhe te vetë gratë dhe ngulit tek ato pasiguri mbi rolin e tyre dhe nivelin e tyre profesional teksa garojnë në fusha të dominuara nga burrat për një kohë historikisht të gjatë.
Summa summarum, mendoj se gratë edhe pse kanë avancuar në fusha të rëndësishme të kërkimit dhe shkencës, ato sërish ndihen të pasigurta për të realizuar plotësisht potencialet e tyre dhe të jenë më aktive dhe të pranishme në hapësirën publike. Zëri i tyre është njëherazi i rëndësishëm dhe i nevojshëm, porse ato janë të parat që duhet të binden mbi këtë.
Portalb.mk: Cilat janë sfidat e grave në shkencë në Maqedoni të Veriut, a përballen ata me sfidën e dyfishtë, të qenurit grua dhe të qenurit shqiptare?
Elisabeta Bajrami Ollogu: Pikë së pari, ekziston një dualitet i vazhdueshëm te secila grua mbi vendimet e përditshme që ajo merr, teksa duhet të vendosë mbi prioritetet e jetës së saj, pavarësisht etnisë apo identitetit të saj kulturor. Unë kam bindjen se gratë në këtë nën qiell ndajnë sfida të ngjashme, megjithatë, për fat të keq ka dallime mes tyre për edhe shkak të përkatësisë etnike. Kësisoj, gratë shqiptare duhet të përballen me sfidë të dyfishtë, njëherë për shkak të gjinisë dhe më pas për shkak të qenurit shqiptare. Ato janë dy herë më të ekspozuara ndaj vështirësive dhe pengesave qoftë për të pasur qasje në projekte relevante shkencore, qoftë për të marrë pozita drejtuese apo për të siguruar forma financimi për projektet e tyre.
Kjo i ka bërë gratë nga komuniteti shqiptar të përparojnë më ngadalë në fushën e arsimit dhe shkencës pasi ato përjetojnë diskriminim të shtresëzuar dhe e gjejnë veten brenda një cikli të mbyllur pabarazie dhe e kanë të vështirë të zhvillohen profesionalisht apo të arrijnë të bëhen pjesë e rrjeteve eminente shkencore. Sfidat bëhen më të theksuara për gratë të cilat janë edhe nëna dhe të cilat jetojnë në shoqëri ende me konstrukt të theksuar patriarkal dhe të cilat në mungesë të sistemeve të nevojshme të mbështetjes, qofshin ato familjare apo nga institucionet sociale, ju duhet të sakrifikojnë shumë teksa duhet të përmbushin role të shumëfishta: si gra, si shqiptare, si nëna dhe si profesioniste.

Portalb.mk: Po Rrjeti i Grave në Shkencë me ç’problematikash ballafaqohet?
Elisabeta Bajrami Ollogu: Rrjeti i Grave në Shkencë ka lindur si një ide për ti lidhur vajzat dhe gratë që janë të angazhuara në fushën e arsimit dhe shkencës në vendin tonë, përtej dallimeve të tyre etnike. Megjithatë, aktualisht numri më i madh i anëtareve është nga komuniteti shqiptar. Ky rrjet është i themeluar si organizatë joqeveritare dhe realizon projekte që kanë në fokus gratë profesioniste dhe problematikat e ndryshme të lidhura me to. Ne e konsiderojmë rrjetin si një mundësi për të lidhur entuziazmin e vajzave dhe grave të reja që merren me kërkim shkencor me përvojën e atyre që merren me shkencë për një kohë më të gjatë. Ne disponojmë një bazë të dhënash ku kemi të evidentuara mbi 250 vajza dhe gra nga profile të ndryshme dhe rrjeti bën përpjekje të vazhdueshme për ti lidhur ato që kanë interesa të ngjashme për ti angazhuar më pas në projekte dhe për ti bërë pjesë të iniciativave të ndryshme. E gjithë puna realizohet vullnetarisht nga një grup i vogël profesoreshash nga universitete të ndryshme në vendin tonë. Rrjeti është një ofrues mundësish, por janë vajzat dhe gratë ato të cilat më pas i bëjnë të munduara arritjet.
Portalb.mk: Sa vendi ofron kushte për zhvillimin e shkencës?
Elisabeta Bajrami Ollogu: Maqedonia e Veriut ndër vite ka bërë përpjekje institucionale për ta zhvilluar arsimin dhe shkencën, përtej dallimeve gjinore. Hendeku gjinor mes arritjeve të burrave dhe grave në këtë fushë diktohet nga faktorë të shumtë dhe është një fenomen mjaft kompleks si rezultat i të jetuarit dhe vepruarit në një “kontekst të brishtë social dhe politik”. De jure janë bërë investime që kanë pasur në fokus rritjen e institucioneve shkencore dhe akademike porse këto politika shpesh kanë pasur edhe prapavijë etnike dhe janë bërë dallime në financimin e institucioneve kërkimore, në implementimin e masave të marra dhe përdorimin e mekanizmave të njëjtë për institucione të ndryshme.
Në vendin tonë janë zbatuar projekte të rëndësishme ndërkombëtare që kanë për qëllim ndërkombëtarizimin e institucioneve kërkimore porse ato kanë qenë të pamjaftueshme dhe ende kërkimi shkencor nuk mund të thuhet se ka qenë prioritet kryesor i qeverive. Mungesa e burimeve financiare apo kufizimi i tyre ka qenë dhe mbetet sfidë për hulumtuesit shkencorë në këtë vend dhe kjo prodhon një zinxhir pasojash, ku më kryesorja mbetet cilësia e ulët e hulumtimeve. Në kushtet e zhvillimit të sotëm teknologjik ku hulumtuesit mund të përdorin metoda të sofistikuara, kërkimi shkencor në disa fusha është bërë sa i lehtë po aq edhe i kushtueshëm dhe kufizimet në burimet financiare e bëjnë atë sfidues dhe hera herës të pamundur për shkencëtarët në vende me resurse të kufizuara.
Portalb.mk: Pasi jemi në fund të vitit, na trego pak për arritjet e Rrjetit këtë vit, me se jeni marrë dhe çfarë në 2025?
Elisabeta Bajrami Ollogu: Në gjysmën e dytë të këtij viti ne kemi bërë disa ndryshime përsa i përket drejtimit të RRGSH-së dhe si rezultat i procedurave të ndryshimit na u desh ta ngadalësojmë paksa ritmin e aktiviteteve të planifikuara më herët. Megjithatë, mund të përmenden disa nga projekte të implementuara nga RRGSH ose ku kemi qenë partnerë në implementim: Projekti “Migrimi dhe të Rinjtë” i cili është implementuar nga Rrjeti i Grave në Shkencë dhe Platforma për Investim në Komunitet – CIP, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Fondacioni Albiz- partner në implementimin e projektit “Përmes thjerrëzave të grave: ngritja e politikave dhe iniciativave buxhetore, monitorimi i zbatimit të planeve lokale të veprimit për barazi gjinore”, i realizuar nga Qendra për Hulumtim dhe Politikë bërje- CRPM, Koalicioni Rural, Gazetarët për të Drejtat e Njeriut, Shoqata Rome për Gra dhe Rini “Luludi” dhe Organizata Arsimore Humanitare “EHO”-Shtip me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Rrjeti i Grave në Shkencë ishte pjesë e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Pjesëmarrës në konferencën përfundimtare të projektit – Platforma e Investimeve në Komunitet. Partner në realizimin e projektit me titull “MediaWise-Edukimi i Medies Digjitale si indikator i rëndësishëm në shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve”, në partneritet me Iniciativën për Fuqizimin e Arsimit-EEI nga Republika e Kosovës. Pjesëmarrës në Konferencën e Komunitetit të Praktikave mbi Buxhetin e Përgjegjshëm Gjinor organizuar nga Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) në partneritet me Universitetin Amerikan të Evropës – FON -Pjesëmarrës në punëtori të ndryshme: Workshop on Country gender equality profile (CGEP) towards implementation of EU GAP III; #Promoting gender responsive governance in the Republic of North Macedonia, etj.
Gjithashtu, shumë prej anëtareve tona kanë qenë aktive dhe të pranishme në ngjarje të ndryshme publike që kanë pasur në fokus problematika të ndryshme të lidhura me vajzat dhe gratë, siç kanë qenë ato të organizuara nga UN women Skopje, Rjeti i iniciativës së grave Antico, etj. Gjithashtu, ne sapo kemi mbyllur aplikimet për dy projekte të rëndësishme të cilat presim ti implementojmë në muajt e ardhshëm. Projektet janë të lidhura me nivein e “Burn-out” apo konsumimin profesional te gratë në shkencë si dhe një projekt rajonal që ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve te të rinjtë dhe aktivizmin e tyre në zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Portalb.mk: A mendoni se në vendin tonë duhet edukim gjinor?
Elisabeta Bajrami Ollogu: Padyshim që po. Si në edukimin formal ashtu edhe në atë joformal. Mendoj se në çdo institucion të arsimit të lartë lëndët mbi teoritë gjinore duhet të jenë pjesë e kurrikulave universitare, qoftë si lëndë obligative qoftë si zgjedhore. Një rol shumë të madh në edukimin gjinor sot luan sektori civil, porse duhet të kihet parasysh se mënyra sesi operon sektori civil në vendin tonë, financimi i tij, mund të bëjë që shpesh të sillen për implementim projekte të cilat disponojnë me stadin tonë të zhvillimit shoqëror, në përplasje me normat tona shoqërore dhe kulturore dhe këto projekte mund të japin efekt të kundërt.
Prandaj, besoj se edukimi gjinor është një fushë mese e nevojshme por shpesh e minuar. Ky është një konstatim imi sa subjektive aq edhe objektiv, por mendoj se feminizmi është një nga lëvizjet sociale më të keqkuptuara sot ndër shqiptarë. Ky keqkuptim më pas ka prodhuar një debat tejet të polarizuar duke i rreshtuar aktivistët e çështjeve gjinore në ekstreme të kundërta apo në dy taborë ku mbrojnë me forcë vlera të caktuara konservatore apo liberale. Mendoj se duhet një ekspertizë e shtuar për ti trajtuar si duhet çështjet gjinore dhe nën-çështje tjera të lidhura me to.
Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për vajzat e reja që duan t’i futen shkencës?
Elisabeta Bajrami Ollogu: Të mos e mendojnë karrierën në akademi ose në kërkim shkencor si një zgjedhje e cila do t’ju sigurojë atyre vetëm përmbushje të ambicieve personale por ta vendosin pasionin dhe dashurinë për këto profesione si një mënyrë që do ti bënte ato të sillnin kontribut real për shoqërinë. Duke i shërbyer shoqërisë i kemi shërbyer vetëve tona pasi ne jemi pjesë e një sistemi vlerash ku secili mund të ofrojmë diçka të vlefshme duke përdorur aftësitë, talentet dhe këmbënguljen tonë. Ta shohin veten si pjesë integrale të sistemit të vlerave. Do t’ju thosha gjithashtu të mos dorëzohen përpara vështirësive me të cilat do të përballen në këto profesione jo të lehta dhe të fokusohen në qëllimet e tyre. Mos të druhen të kërkojnë mbështetje kur kanë nevojë dhe në të njëjtën kohë të jenë të gatshme ta japin atë kur ju kërkohet. Le të kërkojnë mundësi mentorimi në rrugëtimin që kanë zgjedhur dhe të ofrojnë mentorim për vajzat dhe gratë më të reja në këto profesione.