El Pais: Shqipëria, moda e re udhëtimit

Bumi turistik që përjetoi Shqipëria në këtë sezon veror surprizoi vendet europiane. Kjo u reflektua gjerësisht në mediat ndërkombëtare e po vazhdon të bëhet, kësaj radhe nga media prestigjioze spanjolle “El Pais”, raporton Klan. Në artikullin e saj, përshkruhet rruga nga një vend i izoluar nga sistemi komunist, sot pas 33 vitesh turizmi po përjeton një rritje të shpejtë, duke iu hapur botës dhe kthyer në një pikë referimi.

Kombi i vogël ballkanik ka tejkaluar shumë shifrat e tij para pandemisë që nga vjeshta e 2021, ndërkohë që destinacionet kryesore turistike si Franca dhe Italia nuk kanë arritur ende të rikthejnë nivelet e mëparshme, shkruan gazeta, e cila rendit edhe arsyet e këtij bumi turistik.

E para, sipas “El Pais” janë çmimet ekonomike dhe natyra e bukur që Shqipëria ka, që afroi miliona turistë që në stinën e Pranverës. Vetëm në muajin Maj numri i netëve të kaluara ishte 2.5 herë më shumë se në Maj të 2019 sipas Eurostat.

Vendi i vogël për Europën po njeh një zhvillim të shtuar në infrastrukturë dhe ndërtim, duke u shfrytëzuar në sektorin e Hotelerisë dhe biznesit me një rritje me 55%.

Veç turizmit një moment të mirë po kalon edhe bujqësia. Sipas medias spanjolle prodhimet dhe eksportet janë rritur me të njëjtin ritëm me 15.6% më shumë se në 2022.

Zhvillimi ekonomisë solli shifra pozitive edhe për GDP. Nga viti 2010 deri në 2019 GDP për frymë u rrit me një normë mesatare prej 2.9 % sipas Bankës Botërore dhe varfëria në 7 vitet e fundit është zhvendosur nga 41.5% e popullsisë në 2016 në 23.9% në 2023.

Artikullin kushtuar Shqipërisë, e ka shpërndarë në rrjetet sociale Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj të cilët dhe një herë kanë evidentuar faktin Piramida e rikonstruktuar po merr vëmendjen e mediave botërore prestigjioze.