Kriminelët ballkanikë dominojnë kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, mes tyre ka edhe maqedonas

Slobodan Kostovski, Branislav Panevski dhe Aleksandar Neshiq janë disa nga gangsterët ballkanikë të arrestuar për kontrabandën e qindra tonëve kokainë, njoftoi agjencia Reuters, e cila hetoi perandorinë kriminale të mafies ballkanike, transmeton DW në gjuhën maqedonase.

Siç raporton “Deutsche Welle”, Kostovski është arratisur nga burgu brazilian në vitin 2018 dhe është kthyer në Evropë me pasaportë false. Ai u arrestua sërish në gusht 2023 në Beograd me akuzën e kontrabandës së 2.7 tonë kokainë nga Brazili, e cila u kap në afërsi të Ishujve Kanarie.

I njohur si Gjenerali për bashkëpunëtorët e tij, Kostovski kontrabandonte sasi të mëdha droge në Evropë për shumë vite, sipas një raporti të policisë serbe të vitit 2022. Sot 70-vjeçar, Kostovski jetoi në Brazil për një kohë të gjatë, gjë që e lejoi atë të formojë lidhje të ngushta me prodhuesit e kokainës në Kolumbi, Bolivi dhe Peru dhe për të organizuar transportin e drogës në Evropë. Kostovski tani është në pritje të gjyqit në Beograd.

Autoritetet në disa vende thonë se kontrabandistët ballkanikë dominojnë lëvizjen e drogës nga Amerika e Jugut në Paris, Londër dhe Berlin dhe po e kthejnë Evropën në një treg të madh të kokainës.

“Kur bëhet fjalë për dërgesat e mëdha në Evropë, i vetmi grup që është hegjemon është Ballkani,” thotë Ivo Silva, një detektiv policie nga Brazili që ka hetuar Kostovskin që nga fundi i viteve 2000.

Ndryshe nga kartelet e drogës në Meksikë dhe Kolumbi, të cilat kanë një strukturë vertikale, territoriale, Ballkani operon në grupe të vogla që janë shumë të lëvizshme dhe të fshehta dhe mund të transportojnë sasi të mëdha kokaine. Megjithëse bandat përplasen shpesh me njëra-tjetrën, ato quhen kolektivisht Karteli Ballkanik.

“Nuk kanë një strukturë strikte hierarkike. Ata nuk kanë kumbar”, thotë një ish-detektiv i Agjencisë amerikane për luftë kundër drogës (DEA). Vetëm vitin e kaluara, mbi nëntë ton kokainë të lidhur me rrjetin ballkanik u kapën në ujërat e Atlantikut, që është një rritje prej 300% në krahasim me vitin 2015. Përveç kësaj, autoritetet në Antwerp kapën 116 ton kokainë vitin e kaluar dhe holandezët 60 të tjera ton.

“Prania e kriminelëve nga Ballkani Perëndimor në Amerikën e Jugut është tani më e madhe se kurrë. Ka më shumë se 50 qeliza kontrabande nga Ballkani Perëndimor në të gjithë Amerikën e Jugut. Për momentin, ata janë mafia më e madhe e kontrabandës detare në Amerikën e Jugut”, thotë detektivi i policisë braziliane Alessandre Custodio.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, kriminelët e Ballkanit ndërtuan operacione të suksesshme kontrabande. Kur mbaruan luftërat, një pjesë e madhe e tyre u shpërngulën në Amerikën e Jugut dhe ndërtuan aleanca me grupe të fuqishme kriminale atje. Mijëra njerëz nga Ballkani që punojnë për kompanitë globale të ngarkesave përdoren për kontrabandën e drogës.

Sllobodan Kostovski ishte pjesë e valës së parë të gangsterëve që mbërritën në Amerikën e Jugut, pretendon policia braziliane. Kostovski fillimisht kontrabandonte cigare nga Paraguaj, e më pas drogë dhe armë.

Branislav Panevski konsiderohej si dora e tij e djathtë. Në nëntor 2010, policia braziliane i arrestoi ata dhe u dënuan me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge. Sandra Kostovski, e cila ndihmoi operacionet e bashkëshortit të saj duke kontrabanduar para nga Evropa në Brazil, u dënua me 14 vjet burg. Ajo dhe Panevski sot janë të lirë. Kostovski, nga ana tjetër, u arratis nga burgu në Serbi në vitin 2018, duke përdorur pasaportë false.

Nga fundi i vitit 2021, policia serbe zbuloi se Kostovski, pas arratisjes nga Brazili, vazhdonte të menaxhonte kontrabandën e drogës. Komunikimet dhe lëvizjet e Kostovskit u monitoruan për më shumë se një vit për të kapur ngarkesën kryesore. Nga mesi i vitit 2023, policia kishte identifikuar anijen me të cilën ngarkesa e Kostovskit duhej të udhëtonte përtej oqeanit dhe e gjurmoi atë.

“Karteli ballkanik është fundosur”, tha Europol pasi anija u kap më 24 gusht 2023 dhe Kostovski u arrestua.

Dy muaj më vonë, një tjetër trafikant i madh droge në Ballkan, Aleksandar Neshiq, u arrestua në Brazil. Babai i tij Goran mbërriti në Brazil në vitin 2004 dhe ishte një nga kryesorët në rrjetin bolivian të kontrabandës së kokainës në Evropë, së bashku me Kostovskin. Goran Neshiq u arrestua në vitin 2013 dhe u dënua me 15 vjet burg. Në vitin 2018 ai u ekstradua në Serbi, ku duhej të vuante edhe tetë vite të tjera, por sot është i lirë.

Një detektiv amerikan që bashkëpunoi në hetimin e policisë braziliane thotë se kriminelët e Ballkanit janë lokomotiva më e madhe që e mban tregtinë e kokainës në Evropë.

“Ata ndryshuan metodologjinë e tyre dhe funksionon”, thotë ai.