Ekspozitë në Gostivar, 25 vite art me “Draudacum”

Nesër në Qendrën për Kulturë në Gostivar me fillim nga ora 19:00,  Shoqata e Artistëve figurativë të Maqedonisë së Veriut “Draudacum” hap ekspozitën kolektive me punimet e anëtarëve të SHAFM, njofton Portalb.mk.

Kjo shoqatë paraqet një shembull të veçantë në këto hapësira kulturore. Me një angazhim të palodhshëm të anëtarëve të shoqatës, të kryesive, si dhe me ndihmën e institucioneve shtetërore dhe kulturore në vend dhe dashamirëve të artit, gjatë këtyre viteve shoqata u transformua në një institucion të mirëfilltë vullnetare të artit pamor.

Me veprimtarinë e vet, ka zhvilluar dhe kultivuar në mënyrë sistematike artin pamor. Gjithashtu, kjo vatër artistike gëzon renome të jashtëzakonshëm në hapësirat kulturore dhe trajtohet si një ndër shoqatat më aktive dhe më të fuqishme të artit pamor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Por, edhe më gjerë.

Arijan Rufati, kryetar i Shoqata e Artistëve figurativë të Maqedonisë së Veriut “Draudacum” për Portalb.mk tha se në këtë ekspozitë do të paraqiten mbi 40 vepra të anëtarëve të shoqatës të artistëve të artit figurativ “Draudacum” të artistëve të cilët jetojnë dhe artistëve të cilët nuk jetojnë më.

“Këtë vitë shoqata “Draudacum” bën 25 vite aktivitet që nga viti 1999 deri më sot, 25 vite aktivitet i pandërprerë. Në këtë 25 vjetor organizojmë një ekspozitë kolektive, një video dokumentar për punën e shoqatës ndër vite, ku do të jetë e bashkangjitur me muzikë klasike nga dy artist të njohur. Do të jenë vepra të artistëve të cilët jetojnë dhe artistëve të cilët nuk jetojnë më, mirëpo veprat e tyre në “Draudacum”,  i kanë në hapësirat e tyre, në depon e tyre dhe do të ekspozohen edhe veprat e artistëve të cilët janë të ndjerë si: Mustafa Arapit, Bujar Lahut dhe shumë artist të tjerë të cilët janë të ndjerë mirëpo ne për fat të mirë veprat e tyre i kemi në depon e shoqatës”, tha Arijan Rufati.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës se RMV-së.

Në aktivitetet e shoqatës vazhdimisht janë të pranishme veprat e artistëve nga mbarë hapësirat kulturore shqiptare, si: Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, si dhe nga diaspora. Kanë arrit që nëpër aktivitetet e shoqatës të defilojnë artistë të dëshmuar, veteranë të artit pamor, artistë me relevancë artistike vendore dhe botërore. Por, gjithashtu, një kujdes të veçantë shoqata ka treguar në  promovimin e artistëve të rinj, artistë që për herë të parë e fillojnë rrugëtimin e tyre në botën e artit.