Ekipi rus i basketbollit u përjashtua nga Lojërat Olimpike
Rusia do të vazhdojë të jetë e përjashtuar nga ndeshjet ndërkombëtare të basketbollit, pasi ekipi i saj kombëtar i meshkujve nuk do të lejohet të marrë pjesë në turnetë e kualifikimeve të këtij viti, njoftoi të martën Komiteti Ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit, FIBA, raporton VOA.
Rusia, e cila ishte e 12-ta në Kupën Botërore të FIBA-s për meshkuj në 2019, u kualifikua për herë të fundit në Lojërat Olimpike në vitin 2012, duke fituar medaljen e bronzit me një ekip ku përfshihej edhe ish-lojtari i Federatës Kombëtare të Basketbollit (NBA), Andrei Kirilenko.
“Pas rekomandimeve nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të publikuara më 28 mars, për pjesëmarrjen e sportistëve me pasaportë ruse ose bjelloruse në garat ndërkombëtare, Komiteti Ekzekutiv i FIBA-s ka vendosur të mos lejojë regjistrimin e ekipit kombëtar rus të basketbollit për meshkuj”, thuhet në një deklaratë të ekzekutivit.
Në turnetë e kualifikimit, të cilat u prezantuan këtë vit, do të marrin pjesë 40 shtete, me 28 që morën pjesë në raundin e dytë të kualifikimeve të Kupës së Botës FIBA 2023, plus 12 vendet e renditura si më të mirat që nuk morën pjesë në raudin e dytë.
Bullgaria do të zëvendësojë skuadrën ruse si ekipi i radhës më i miri në Evropë. Garat do të zhvillohen nga data 12 deri më 20 gusht, me pesë fituesit që do të fitojnë vende në turneun kualifikues të FIBA-s në 2024.