Skandali i TikTokerit, prokuroria heton përfshirjen e të tjerëve, Mexhiti shkarkoi drejtorin organizativ

Pas skandalit në repartin gjinekologjik të Spitalit të Tetovës ku një anesteziolog incizoi dhe transmetoi drejtpërdrejt në rrjetin social TikTok pamje nga një sallë e spitalit ku shiheshin pacientë dhe staf mjekësor, Ministri i Shëndetësisë ka shkarkuar drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës. Prokuroria nga ana tjetër për Portalb.mk tha se nëse në këto vepra ka pjesëmarrës tjerë do të veprojnë sipas ligjit. 

Mexhiti shkarkoi drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti e ka shkarkuar drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës, Armend Fazliun. Kjo sipas Mexhitit u bë pasi Fazliu nuk ka qenë në vendin e tij të punës ditën kur ka ndodhur skandali i TikTokut në repartin gjinekologjik të Spitalit të Tetovës.

“Drejtori në fjalë nuk ka qenë në orarin e punës kur ka ndodhur ky rast si dhe për shkak se nuk ka pasur marrëdhënie të rregullt pune, ka shkuar në punë nga 2 orë dhe për këtë shkak atë ditë që isha në Tetovë e shkarkova, por për shkak se ishin festat nuk munda shkarkimin ta bëj zyrtarisht , dje e shkarkova edhe zyrtarisht. Do ketë bashkim të Qendrës Klinike, nga këtu nënkuptohet se nuk do ketë drejtorë organizativ por do ketë një drejtor gjeneral siç ka qenë edhe më përpara”, tha Mexhiti.

Prokuroria: Hetojmë nëse ka të përfshirë të tjerë në vepra

Nëse gjatë procedurës do të sigurohen dëshmi për përfshirje të personave tjerë në kryerjen e veprave penale, prokuroria do të veprojë sipas ligjit. Kështu thonë nga Prokuroria Publike në pyetjet e Portalb.mk nëse do të ketë të dënuar tjerë në lidhje me skandalin e TikTokut.

Prokuroria pa mos dhënë shumë detaje, theksoi se procedura është në proces ndaj një personi për veprat penale – Puna e pandërgjegjshme në shërbim nga neni 353-v paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe Incizim i paautorizuar sipas nenit 152 paragrafi 2 të Kodit Penal, sipas provave të siguruara. Për personin, me propozim të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit.

“Në këtë fazë të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Tetovë është duke punuar intensivisht për sigurimin e provave, duke marrë në pyetje të gjithë personat që mund të kenë njohuri. Detajet e deklaratave të personave të thirrur nuk mund t’i ndajmë me publikun. Nëse gjatë procedurës sigurohen dëshmi për përfshirjen e personave të tjerë në kryerjen e veprave penale, prokuroria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj ligjore”, thanë nga Prokuroria për Portalb.mk.

Ndryshe, me 14 mars nëpunësit policor arrestuan Valton Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e Pëllumb Vela, drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se Dervishi i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin TikTok, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore.

Anesteziologu pas kësaj u përjashtua nga puna, ndërkaq me propozim të Prokurorisë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Tetovës, për mjekun u caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh.

Ndërkaq dje, Dhoma e Mjekëve solli vendimin me të cilin anesteziologut në fjalë propozon t’i merret licenca e punës për shtatë vjet.