UNICEF e promovoi “Profilin e popullsisë së fëmijëve në RMV”

Enti Shtetëror i Statistikave dhe UNICEF-i promovuan raportin “Profili i popullatës së fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në të cilin për herë të parë të gjitha të dhënat statistikore në dispozicion për fëmijët në vend janë mbledhur në një publikim, transmeton Portalb.mk.

Në panelin e sotëm, pjesëmarrësit ngritën pyetje rreth asaj se sa e rëndësishme është për palët e interesuara kombëtare të përmirësojnë aftësinë për të mbledhur, interpretuar dhe prodhuar të dhëna të ndara për fëmijët dhe për të krijuar politika për fëmijët të bazuara në dëshmi.

“Politikat dhe programet e drejtuara nga të dhënat për fëmijët mund të ndikojnë në vendimet buxhetore që çojnë në kursime të kostos dhe përdorim optimal të burimeve për çdo fëmijë,” tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiGiovanni.

Ajo tha se zhvillimi i politikave që synojnë promovimin e mirëqenies së fëmijëve kërkon bazë solide informacioni mbi fusha të shumta të jetës së fëmijëve, duke përfshirë shëndetin fizik dhe mendor, zhvillimin socio-emocional, mësimin dhe rezultatet në arsim.

Marina Mijovska, këshilltare në Entin Shtetëror të Statistikave, tha se në të ardhmen, bashkëpunimi me UNICEF-in, si dhe njohja e praktikave ndërkombëtare në këtë fushë, mund të hapë një drejtim të ri në zhvillimin e statistikave dhe të mundësojë disponueshmërinë e të dhënave për fëmijët në një vend.

Publikimi “Profili i popullsisë së fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut” bashkon të dhënat për fëmijët nga regjistrimi i vitit 2021 dhe të dhënat administrative të prodhuara nga institucionet shtetërore për një sërë fushash, përfshirë fëmijët në përkujdesje alternative, fëmijët që marrin ndihmë dhe shërbime sociale, ndër të tjera edhe martesat e fëmijëve dhe lindjet nga nënat e mitura.

Raporti ofron të dhëna të përmbledhura mbi gjendjen e fëmijëve, si dhe një pasqyrë të tendencave të ardhshme, për të ndihmuar qeverinë të zhvillojë politika të bazuara në prova.