Edhe Zveçani u anëtarësua në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Zveçani është komuna e katërt në veri të Kosovës që është bërë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvedosje, partia në pushtet në Kosovë, e cila ka thënë se iniciativa për diçka të tillë është marrë nga asamblistët e saj në Kuvendin komunal. Të njëjtin vendim e kanë marrë ditë më parë edhe Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe, shkruan Evropa e Lirë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kundërshtuar vendimin e Leposaiviqit dhe Zubin Potokut më 14 shtator, duke thënë se “ai nuk është në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë”, dhe se si i tillë “do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.

Situata në këtë pjesë të Kosovës është tensionuar muaj më parë, për shkak të kundërshtimit të banorëve serbë për t’i pranuar kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar prej tyre.

Situata me raste është përshkallëzuar në dhunë.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të marrin masa për shtensionim të situatës dhe për organizim të zgjedhje të reja.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka publikuar javë më parë një udhëzim administrativ që parasheh procesin e largimit të kryetarit nga funksioni.

Por, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se udhëzimi administrativ në fjalë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, për shkak të mungesës së ligjit për iniciativë qytetarë apo referendum.

Diplomatët perëndimorë kanë thënë se besojnë që dorëheqja e kryetarëve të këtyre komunave mund të jetë mënyrë më e mirë për hapje të rrugës për zgjedhje të reja.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përsëritur disa herë se nuk mund ta detyrojë askënd të marrë një vendim të tillë dhe është thirrur në rrugën ligjore, si referencë për udhëzimin administrativ.

Pas rundit të radhës të dialogut të mbajtur më 14 shtator në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit ka thënë se nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, ai “do të japë gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor, ndonëse e ka cekur se nuk mund të premtojë në emër të tij.

Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për një epilog të tillë.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.