Prindërit e fëmijëve me sindromën Down reaguan se u janë hequr shtesat e posaçme, ministrja Trençevska: Do të bëhet rivlerësim

Prindërit e fëmijëve me sindomë Down kanë reaguar dje dhe sot për shkak se u është mohuar shuma e parave që duhet marrin si shtesë të posaçme. Kur ata janë paraqitur te Komisioni i sapoformuar, i cili përcakton llojin e aftësisë së posaçme dhe shtesën, u kanë thënë se në Rregulloren e re të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) sindroma Down nuk konfiguron dhe ju kanë kërkuar dokumente shtesë. Pasi është përhapur kjo ngjarje, prindër tjerë me fëmijë me sëmundje të rralla dhe lloje të tjera të aftësive të kufizuara kanë thënë se edhe ato kanë patur vështirësitë e njëjta, shkruan Portalb.mk.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të MPPS, shuma e shtesës së posaçme është 8.047 denarë për prind të vetëm që kanë fëmijë ndër 26 vjeç me aftësi të posaçme dhe 6.706 denarë për prindërit pa të ardhura, të cilët janë shfrytëzues të ndihmës minimale sociale dhe kanë fëmijë ndër 26 vjeç me aftësi posaçme.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kanë thënë se “Me këtë model nuk bëhet diagnozë, por vlerësohet funksionimi dhe kufizimet në aftësitë e fëmijës. Sindroma Down është vetëm një nga shumë diagnoza që bien nën kategoritë e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të përfshihet individualisht si diagnozë. Përndryshe, të gjitha diagnozat që bien në kategoritë individuale duhet të renditen. Gjithashtu, personat me sindromën Down kanë një nivel të ndryshëm funksionimi dhe jo të gjithë përballen me të njëjtën shkallë kufizimi në aftësi“.

Pavarësisht kësaj deklarate, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska sot ka mohuar se është hequr shtesa e posaçme për fëmijët me sindromën Down. Sipas saj, “bëhet fjalë për 8 fëmijë nga gjithsej 120 që nuk kishin dokumentacion të plotë mjekësor dhe të cilët morën konstatim negativ gjatë vizitës te komisioni përkatës. Ne si ministri tashmë i kemi kontaktuar edhe ata fëmijë edhe komisionin dhe do të bëjmë një inspektim të dytë për të dhënë një rivlerësim dhe zgjidhje“.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut edhe kategori të tjera përballen me barriera të mëdha.  Golgota e pensionistëve poashtu është një histori e gjatë në Maqedoni. Është po aq e vjetër sa edhe vetë vendi. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në vend numërohen 333.882 pensionistë. Prej tyre, 94.117 në muajin prill kanë marrë pension deri në 13.300 denarë, pothuajse po aq kanë marrë mbi 22.000 denarë, 78.627 pensionistë kanë marrë pension nga 16.000 deri në 22.000 denarë, dhe 67.013 pensionistë kanë marrë 13.300 denarë deri në16.000 denarë. Pensioni më i lartë në vend është rreth 70.000 denarë dhe e marrin vetëm 74 pensionistë.