Edhe rasti “Fushat e Dellçevës” u ndërpre, Qeveria tha se nuk është mashtruar për fushat e blera për fotovoltaikë 40 herë më shtrenjt

Hetimi për “Fushat e Dellçevës” është ndërprerë, për shkak të ndryshimit të deklaratës së anëtarit të njërit prej bordeve të EVN-së dhe mungesës së provave të mjaftueshme për të mbështetur akuzën. Në këtë rast, LSDM akuzoi se anëtarë të sigurimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, por edhe zyrtarë të partisë, janë përfshirë në financimin e paligjshëm të partisë duke blerë tokë në Dellçevë, e cila më pas i është shitur “EVN Elektrana” 40 herë më shtrenjtë se vlera e tregut, transmeton Portalb.mk.

Qeveria ndërroi mendje për kundërshtarët politikë nga VMRO-DPMNE, të dyshuar në hetim dhe tha: “Jo, nuk jemi mashtruar nga këta njerëz”, pas së cilës Prokuroria ka ndërprerë hetimet e mëtutjeshme.

Në këtë çështje shpëton babai i deputetit Jovan Jauleski nga VMRO-DPMNE. Këto ditë nga ndjekja penale u shpëtuan deputetët Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE, Ljupço Dimovski nga Partia Socialiste dhe parparakisht deputeti i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare. Tre deputetët u shpëtuan me ndryshimet në Kodin Penal të votuar nga LSDM-ja dhe në prani të kundërshtarëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët, për habinë e madhe të opinionit, qëndruan në sallë për të siguruar kuorum gjatë votimit. 

Prokurori kompetent nga Prokuroria Publike Shkup ka lëshuar urdhëresë për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj 7 personave, dy prej të cilëve dyshohet se kanë kryer vepërën – Mashtrim në shërbim sipas nenit 355 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, ndërsa pjesën tjetër i kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Dy të dyshuarit e parë janë akuzuar se gjatë vitit 2021 bashkërisht në kryerjen e detyrës kanë mashtruar anëtarët e Bordit të drejtorëve të personit të dëmtuar juridik – EVN Maqedoni SHA Shkup, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, ndërsa më pas personi i autorizuar të bëjë pagesë të kundërligjshme në procedurë për blerjen e pronës së paluajtshme – truall me qëllim të ndërtimit të voltaikëve fotovoltaikë.

Në të njëjtën kohë, ata nuk kanë respektuar dhe anashkaluar procedurat e brendshme në punën e personave juridikë, nuk kanë kryer kontrollet e mëparshme të nevojshme që janë të detyruar t’i kryejnë dhe me këtë kanë vepruar EVN AG AUSTRIA, në cilësinë e aksionerit dominues në EVN Maqedoni SHA Shkup, të vlerësojë si fitimprurëse (të përshtatshme) dhe të aprovojë investimin për blerjen e patundshmërive, përkatësisht në gjithsej 48 parcela kadastrale në disa komuna kadastrale.

Bazë për fillimin e procedurës penale, ekzistimi i së cilës bazohet në lajthimin e personave të autorizuar për pagesë të kundërligjshme, ishin deklaratat fillestare të anëtarëve të Bordit Drejtues të EVN Maqedoni SHA Shkup, të cilët pretendonin se nuk do të kishin votuar për vendimin e blerjes nëse i dinin faktet në lidhje me disa nga parcelat në fjalë, përkatësisht se janë toka pyjore, toka me rrugë të paaksesueshme dhe toka që ndodhen në zonë të mbrojtur.

“Gjatë procedurës, prokurori publik kompetent ka grumbulluar të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me vendimmarrjen dhe lidhjen e kontratave për blerjen e parcelave, e cila ka qenë objekt i raporteve të ekspertizës. Gjithashtu, janë marrë në pyetje të gjithë personat që kishin njohuri të caktuara. Mirëpo, gjatë procedurës hetimore, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës ndryshuan deklaratën e tyre dhe thanë se pas shqyrtimit të provave të mbledhura, besojnë se nuk janë mashtruar nga të dyshuarit lidhur me procedurën dhe se do ta miratojnë sërish blerjen e pronës në fjalë. Anëtari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni SHA Shkup, i emëruar nga Qeveria, ka deklaruar se personi juridik nuk është dëmtuar nga veprimet e të dyshuarve dhe se në rastin nuk ka pasur pagesë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Duke marrë parasysh deklaratën e përfaqësuesit dhe njëkohësisht mbrojtësit të kapitalit shtetëror në personin juridik EVN Maqedoni SHA Shkup, e cila në rastin konkret është vendimtare për vërtetimin e mashtrimit si karakteristikë e veprës penale, prokurori publik në rastin ka marrë vendim për ndërprerjen e hetimeve”, thotë organi i akuzës.

Duke qenë se në një pjesë të deklaratës para prokurorit publik, përfaqësuesi i kapitalit shtetëror ka paraqitur edhe fakte të rreme lidhur me kontrollet paraprake të tokës që ka qenë objekt i shitblerjes, PThP Shkup ka ngritur lëndë për këtë pjesë të deklaratës, e cila nis procedimin ndaj këtij dëshmitari për vepër penale – Deklaratë e rreme nga neni 367 i Kodit Penal.

Ajo deklaratë para prokurorit publik, edhe pse prokuroria e konsideron të rremë, nuk ndikon në procedurën konkrete që është ndërprerë, sepse anëtarët e Bordit Drejtues gjatë procedurës kanë ndërruar mendje dhe tani kategorikisht mohojnë se janë mashtruar apo me qëllim miratimin e blerjes së tokave.

Kujtojmë se atëkohë, Policia Financiare bëri të ditur se toka është paguar gati 100 milionë denarë ose 1.6 milionë euro, ndërkaq toka ka kushtuar 50 herë më pak, gjegjësisht rreth 35 mijë euro. Hetimi pas paraqitjes së EVN-së kulmoi në vitin 2021 më 11 nëntor, kur Kuvendi duhej të diskutonte për interpelancën e qeverisë së Zaevit dhe kur u zhduk deputeti atëkoh i Besës, Kastriot Rexhepi, i cili ishte nënshkruesi kryesor i kërkesës për shkarkimin e qeverisë. Në atë mëngjes herët janë bërë bastisje në shtëpitë e babait të deputetit të VMRO-DPMNE Jaulesk dhe në shtëpinë e Igor Gievskit, të cilët ishin udhëheqës në EVN. Policia Financiare ka hetuar nëse paratë nga kjo marrëveshje kanë përfunduar në parti dhe për qëllime partiake, sepse të gjithë të dyshuarit kanë qenë të lidhur me VMRO-DPMNE-në.