E rrahën, filmuan dhe e kërcënuan një 14 vjeçare: Kallëzim penal për 18-vjeçaren dhe dy të miturat në Kumanovë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzime penale kundër 18-vjeçares P.A. nga fshati Llojan i Likovës dhe kundër dy të miturave nga Kumanova, të moshës 14 dhe 15 vjeç, në lidhje me rastin më të fundit të dhunës mes bashkëmoshatarëve në Kumanovë, për të cilin ishte publikuar edhe një video-incizim në rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.

Vajzat dyshohet se para katër muajsh kanë ushtruar dhunë ndaj një vajze 14-vjeçare. Sipas njoftimit të MPB-së, më 13 mars të këtij viti, rreth orës 18:00, ato e kanë thirrur vajzën të dalë nga shtëpia e saj, pas së cilës e kanë bindur të hyjë në një hapësirë pranë qendrës sportive “Sokolana” në Kumanovë.

“Aty fillimisht e kanë ofenduar, ndërsa më pas edhe e kanë sulmuar fizikisht, duke e filmuar të gjithë ngjarjen me telefon celular. Pas kryerjes së dhunës, të dyshuarat e kanë kërcënuar të miturën që të mos e denoncojë rastin dhe të mos flasë për videon e incizuar, duke e kërcënuar se në të kundërtën do t’i ndodhë diçka edhe më e keqe”, njoftoi MPB-ja.

Më herët gjatë ditës së djeshme, prokurorja kryesore e Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë, Teuta Bediu-Ramadani, deklaroi se menjëherë pas publikimit të videos së dhunës është hapur lëndë dhe po veprohet me procedurë urgjente.

Ky është rasti i dytë i dhunës mes bashkëmoshatarëve për të cilin këtë muaj është publikuar video-incizim në rrjetet sociale. Rasti i mëparshëm ndodhi në lagjen Aerodrom në Shkup, ku një vajzë 12-vjeçare u sulmua nga bashkëmoshatarët e saj.

Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Ajo bëri të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.