Dyshime për spiunazh në kabinetin e presidentes, Prokuroria: MPB nuk ka dorëzuar ende raportet e kërkuara
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) ka deklaruar sot se, pavarësisht hetimeve që po zhvillohen për dyshime për spiunazh të mundshëm dhe nxjerrje të paautorizuar të të dhënave nga sistemi kompjuterik në Kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka dorëzuar raportet përfundimtare dhe informacionet e kërkuara nga prokuroria, transmeton Portalb.mk.
Sipas Prokurorisë, procedura hetimore paraprake është hapur më 18.12.2025, pas një njoftimi nga MPB – Sektori për krim kompjuterik, i cili lidhej me një ngjarje të ndodhur më 24.11.2025 dhe me indikacione për aktivitete të palejuara me interes të lartë shtetëror.
“Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PNKOK), pas një njoftimi të marrë më 18.12.2025 nga Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për krim kompjuterik, i cili lidhej me një ngjarje të datës 24.11.2025 dhe me ekzistencën e indikacioneve për aktivitete të palejuara me interes të lartë shtetëror, po atë ditë hapi procedurë hetimore paraprake dhe menjëherë ndërmori të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme në përputhje me kompetencat e saj ligjore. Në kuadër të procedurës, në Gjykatën Themelore Penale u dorëzua kërkesë për lëshimin e urdhrit për kontroll të sistemit kompjuterik, me qëllim përcaktimin e përmbajtjeve që eventualisht janë kopjuar pa autorizim nga sistemi informativ në kabinetin e presidentes. Njëkohësisht, u lëshuan edhe urdhra për ekstraktim të të dhënave nga kompjuterë personalë dhe laptopë të dorëzuar në MPB nga kabineti i presidentes”, thonë nga Prokuroria.
Në mënyrë shtesë, në kabinetin e presidentes u dërgua kërkesë për dorëzimin e kopjeve të videoregjistrimeve nga kamerat e sigurisë të lidhura me ngjarjen e raportuar, për periudhën kur ka ndodhur ajo.
Më 30.12.2025, në MPB – Sektorin për krim kompjuterik, si organ kompetent për zbulimin e veprave penale dhe sigurimin e provave, u dërgua urdhër për analizimin e materialit provues të ekstraktuar.
“Në fillim të vitit 2026, pas marrjes së njoftimit se kabineti i presidentes nuk disponon kopje të video mbikëqyrja, pasi pajisjet janë siguruar përmes SPPP dhe kompetenca për menaxhimin dhe ruajtjen e regjistrimeve është në MPB, prokurori i çështjes iu drejtua edhe SPPP-së dhe MPB-së për sigurimin urgjent të tyre. Nga SPPP u mor përgjigje se institucioni nuk posedon video-regjistrime, por se kompetenca e tyre ka të bëjë vetëm me prokurimin e pajisjeve, ndërsa ruajtja dhe disponimi i kopjeve të regjistrimeve është në kompetencë të MPB-së. Megjithatë, MPB deri më sot nuk ka dorëzuar informacione kthimi, as njoftim për veprimet e ndërmarra lidhur me sigurimin e kopjeve të video mbikëqyrjes”, thonë nga Prokuroria.
Më 16.03.2026, MPB dorëzoi njoftim për një pjesë të aktiviteteve të ndërmarra që lidhen me sigurimin e qasjes në të dhënat e enkriptuara nga pajisjet kompjuterike të ekstraktuara deri atëherë. Po ashtu, në PTHP NKOK u dorëzuan dy telefona celularë të sekuestruar nga i dyshuari, me kërkesë për ekstraktim në Qendrën Hetimore të PTHP NKOK, pas së cilës u lëshua menjëherë urdhri përkatës për veprim.
“Më pas, më 25.03.2026, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e çështjes, prokurori i shtetit i dërgoi MPB-së – Sektorit për krim kompjuterik urdhër për analizën e të dhënave nga telefonat celularë, si dhe për analizë të përbashkët të të dhënave të nxjerra nga pajisjet kompjuterike të përpunuara në Qendrën Hetimore të PTHP NKOK. Gjithashtu u kërkua analizë e veprimeve lidhur me zbatimin e urdhrit gjyqësor për kontroll dhe qasje në sistemin informativ të Kabinetit të Presidentes, me detyrim që prokuroria të informohet për provat e mbledhura. Deri më sot, pavarësisht seriozitetit të rastit, ndjeshmërisë së rrethanave dhe rëndësisë së veprimit në kohë, PTHP NKOK nuk ka marrë asnjë raport nga MPB për rezultatet e veprimeve të ndërmarra, as për provat e siguruara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rastin e raportoi paraprakisht Slloboden Peçat. Sipas informacioneve të mediumit, në Prokurori dhe në redaksinë e gazetës ishte dorëzuar një kallëzim penal anonim, i nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”, në të cilin pretendohet se të dhëna konfidenciale janë kopjuar dhe enkriptuar, me dyshimin se mund të kenë përfunduar tek shërbime të huaja të inteligjencës.
Në kallëzim, siç shkruan “Slloboden Peçat”, nën dyshim është një administrator IT në Kabinetin e presidentes, ndërsa përmenden edhe funksionarë të tjerë nga Kabineti dhe nga Agjencia e Inteligjencës, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë marrë pjesë në fshehjen e provave.
Nënshkruesit e kallëzimit kanë kërkuar ekspertizë forenzike të pajisjeve elektronike, kontroll të video-mbikëqyrjes, regjistrave VPN, komunikimeve elektronike dhe informacioneve të klasifikuara apo komunikimeve të NATO-s që mund të jenë komprometuar.
Nga Prokuroria kanë konfirmuar për “Slloboden Peçat” se që nga dhjetori i vitit të kaluar po zhvillohet hetim paraprak pas një “alarmimi” të marrë nga Sektori për krim kompjuterik pranë MPB-së. Në kuadër të procedurës janë lëshuar urdhra për kontroll të sistemeve kompjuterike dhe nxjerrje të të dhënave nga kompjuterët e dorëzuar nga Kabineti i presidentes.
Megjithatë, hetimi ende nuk ka përfunduar, pasi sipas Prokurorisë nuk është dorëzuar raporti përfundimtar për dekriptimin e të dhënave që dyshohet se janë nxjerrë, thuhet në publikimin e “Slloboden Peçat”.