Dy njohës të Shqipërisë, në krye të diplomacisë gjermane
Dy mbështetës të integrimit të Shqipërisë në BE dhe njohës të mirë të Ballkanit Perëndimor do të drejtojnë diplomacinë gjermane, raporton Klan. Johann Wadephul është përzgjedhur nga kristiandemokratët gjermanë, fitues të zgjedhjeve të 23 Shkurtit, për postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e re që ata po formojnë në koalicion me socialdemokratë. Ndërsa, Gunther Krichbaum do mbajë postin e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme.
Si Wadephul ashtu edhe Krichbaum janë emra të njohur për Shqipërinë, pasi për disa vite kanë qenë pjesë e grupit të punës në parlamentin gjerman për Ballkanin Perëndimor. Madje, Krichbaum mbahet mend për reagimet e tij në momentet kur tensionet politike në vendin tonë kanë qenë të larta. Reagimin më të fundit e pati Tetorin e kaluar kur kritikoi protestat e dhunshme të opozitës në Tiranë.
Ata mbahen mend po ashtu si nismëtarë të vendosjes së kushteve shtesë për t’u përmbushur nga Shqipëria në vitin 2019, që Gjermania të mbështeste çeljen e negociatave me BE-në. Sa i përket krizës ukrainase, Johann Wadephul është një nga mbështetësit kryesorë të Kievit në politikën gjermane.
Përzgjedhja e tij ua rikthen kristiandemokratëve gjermanë drejtimin e diplomacisë pas gati 6 dekladash praktike, ku partitë kryesore ua kanë lënë këtë ministri aleatëve. Kjo sipas analistëve është shenjë se kancelari i ri Friederich Merz do e shndërrojë diplomacinë në prioritet të qeverisjes së tij.