Metafora e dytë, “me i bo drunjtë”, dikur, në kohërat e shqiptarisë së shëndoshë ka nënkuptuar sigurinë në sezonin e dimrit, pajisjen me gjënë e nevojshme për borën e lartë dhe temperaturat e ulëta, atmosferën e ngrohtë familjare dhe gatitjen për mikpritje. Ka nënkuptuar njeriun e arsyeshëm që në kohë dhe me mund ka menduar dhe vepruar në favor të vatrës së vet, që pos bukës dhe kulmit, ka siguruar kalimin pa telashe në stinën e pranverës. Burri i mirë drunjtë i ka bërë me kohë. “T’i bësh drunjtë” ka qenë baraz me thënien “të sigurosh bukën e gojës”. Drunjtë, si nevoja bazike për ngrohtësi e gatim, përfaqësojnë themelin e mbijetesës. Personi që i siguron ata është punëtor i ndershëm, kursimtar dhe shtylla e familjes. Në kulturën tradicionale, ky akt ishte burim krenarie dhe dinjiteti. Kjo figurë qëndron në kontrast të plotë me korrupsionin, i cili është marrja e të mirave pa bërë asnjë punë të ndershme në këmbim. I avashti u ka zgjuar vonë, me borën e parë, natyrisht duke përjetuar kokëçarje, punë në kushte të rënda për t’i prerë drunjtë në mal, pemët në oborr ose huazim nga komshiu.
Zhvendosja e kuptimit të “të bërit e drunjve” ndodh kur fraza përdoret për të përshkruar një pasurim të shpejtë dhe të pashpjegueshëm. Kur një zyrtar, një politikan, apo një person me ndikim bën një pasuri të madhe brenda një kohe të shkurtër, shpesh thuhet se ai “i ka bërë drunjtë” – por jo duke prerë pemë për zjarr. Në këtë rast, “drunjtë” nuk janë lëndë djegëse, por kapital, dhe akti i “bërjes” nuk është punë, por shfrytëzim i pozitës, vjedhje, apo trafikim i ndikimit. Kjo ironi është tronditëse sepse vendos dy realitete krejtësisht të ndryshme nën të njëjtën etiketë: mundi i djersës kundër fitimit kriminal.
Ky përdorim i dyfishtë i metaforës është një shprehje e fuqishme e cinizmit shoqëror. Shprehja nënkupton një realitet ku rruga e vërtetë drejt pasurisë dhe komoditetit nuk është më puna e ndershme, por rruga e shkurtër e malverzimeve. Kur shoqëria shikon se “drunjtë” e mirëqenies i sigurojnë më shpejt ata që kapin sistemin sesa ata që i kapin lopatën, fjala humbet kuptimin e saj moral.
Në thelb, përdorimi i kësaj metafore për korrupsionin kryen një funksion kritik. Ai tregon që populli, duke përdorur gjuhën e vet tradicionale, ka identifikuar dhe emërtuar problemin. Kjo mini sentencë shënon triumfin tragjik të paligjshmërisë mbi meritokracinë: në vend që individi të lavdërohet për punën e tij, ai krenohet me mënyrën e dyshimtë të pasurimit.
Në përfundim, në kulturën shqiptare fjalia “Ai i ka bërë drunjtë” ka evoluar nga një simbol i punës bazike dhe dinjitetit në një metaforë të errët të kalbjes sociale dhe padrejtësisë ekonomike. Kjo përmbysje kuptimore nuk është thjesht një lojë fjalësh, por një dëshmi gjuhësore e një krize morale dhe sociale, ku thelbi i vlerave tradicionale është zhvlerësuar nga realiteti i hidhur i tranzicionit dhe sundimi i pandëshkueshmërisë. Pra, shoqëri normale dhe të shëndoshë do të kemi kur të shpëtojmë nga përdorimi i këtyre metaforave në mënyrën që pasqyrojnë degradimin, hajdutërinë, degjenrimin elitar. Burimisht të bërit drunjve lidhet me punën e ndershmërinë, kurse miu nëpër mustaqe me vigjilencën, konteksti dhe “fryma e kohës” (zietgeist) i ka deformuar ato semantikisht, duke shkaktuar erozion social të përmasave të gjera.