Festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut, shënohet Dita e Shën Klimentit të Ohrit

Maqedonia e Veriut sot shënon 8 Dhjetorin – Ditën e Shën Klimentit të Ohrit, ditë e regjistruar si festë shtetërore. Krerët shtetëror vlerësojnë veprën e Shën Klimentit në arsim dhe kulturën, transmeton Portalb.mk.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, Ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e 8 Dhjetorit – Ditës së Shën Klimentit të Ohrit”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Gashi vlerësoi që vepra e tij është themel i vlerave universale që i tejkalon kufijtë fetarë dhe etnikë.

“Uroj që festa të jetë nxitje për një përkushtim edhe më të madh ndaj arsimit, shkencës, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Gëzuar 8 Dhjetorin – Ditën e Shën Klimentit të Ohrit!”, uroi Gashi.

Urime deri te të gjithë besimtarët e besimit ortodoks dërgoi edhe presidentja Gordana Siljanovska – Davkova.

“Kujtimi i shenjtorit të Ohrit është i gdhendur jo vetëm në kujtesën maqedonase, por edhe në kujtesën kolektive të të gjithë popullit sllav. Ashtu si imazhi i tij zbukuron tempujt tanë, ashtu edhe shumë nga institucionet tona arsimore, shkencore dhe kulturore mbajnë emrin e tij”, deklaroi presidentja Siljanovska – Davkovka.

Ministri i punëve të jashtme, Timço Mucunski, gjithashtu dërgoi urime duke vlerësuar se vepra e Shën Klimentit të Ohrit është themel i përhershëm i historisë dhe identitetit, duke e paraqitën si një shembull që duhet të ndiqet për ndërtimin e një shoqërie të ndërtuar mbi dijen.

Ndryshe, Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Maqedoninë e Veriut më 25 nëntor ka shpalosur tre fituesit e çmimit shtetëror “Klimenti i Ohrit”: Vitomir Mitevski, Zhivoin Glishiq dhe Bedi Ibrahimi.