Dy djem dyshohen për dhunë në familje ndaj nënave të tyre në Shkup, Prokuroria ka nisur procedura
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedura kundër dy personave për veprën penale “Lëndim trupor”, sipas nenit 130, paragrafi 2 të Kodit Penal, përkatësisht për lëndime të shkaktuara gjatë ushtrimit të dhunës në familje ndaj nënave të tyre, transmeton Portalb.mk.
Në rastin e parë, i dyshuari 34-vjeçar, mbrëmjen e 25 korrikut, i ka kërkuar para nënës së tij. Pasi ajo i ka thënë se nuk kishte mundësi t’i jepte, ai ka filluar ta akuzojë në mënyrë agresive se nuk i kishte siguruar një jetë të denjë. Në një moment ka nisur ta godasë me grushte në kokë dhe në trup. Më pas e ka tundur, e ka tërhequr për flokësh dhe e ka kërcënuar se, nëse nuk i siguronte një shumë të caktuar parash, do ta rrihte çdo ditë dhe nuk do të ndalej.
Prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit për këtë të dyshuar, duke pasur parasysh se ai edhe më parë është dënuar për një vepër të ngjashme penale, si dhe për shkak të kërcënimeve ndaj viktimës, të cilat rrisin rrezikun e përsëritjes së veprës.
Në rastin tjetër, për të njëjtën vepër penale dyshohet një 24-vjeçar nga Petroveci, i cili pasditen e 25 korrikut, në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij duke e goditur me grusht në fytyrë. Më pas e ka tërhequr për krahun e majtë, është ulur në vendin e shoferit të veturës dhe e ka përplasur derën me forcë.
Dora e të dëmtuarës ka mbetur e bllokuar në derë, ndërsa i dyshuari ka nisur të lëvizë me automjetin. Gruaja nuk ka mundur ta lirojë dorën dhe ka vrapuar pas veturës derisa, pas një kohe, i dyshuari e ka lëshuar.
Duke vlerësuar rrethanat e rastit, prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup që ndaj të dyshuarit të shqiptohen masa paraprake, përkatësisht ndalim i largimit nga vendbanimi ose vendqëndrimi, detyrim për t’u paraqitur periodikisht në gjykatë, si dhe ndalim i afrimit ose i vendosjes dhe mbajtjes së kontakteve me nënën e sulmuar.