Droga nga Lindja e Mesme në BE, u godit rrjeti shqiptar

Në Shqipëri, të paktën 20 persona u arrestuan dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim, si pjestarë të një gupi që trafikonte loje të ndryshme drogash nga Lindja e Mesme me destinacion Italinë dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, transmeton Zëri i Amerikës.

Hetimi 2 vjeçar ndaj rrjetit të narkotrafikut, mësohet të ketë nisur pas sinjalizimeve të ardhura nga autoritetet italiane, me të cilat Prokuroria e Posaçme, ngriti më pas dhe një skuadër të përbashkët. Nga të dhënat rezulton se grupi siguronte lëndën narkotike, nga marijuana, te heroina dhe kokaina, në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme. Në të paktën 8 episode të veçanta, sasisa e drogës së sekuestruar kap vlerën e 2.7 milion eurove.

Siç bëri të ditur dhe prokurori Vladimir Mara, droga lëvizte përmes kamionëve që transportonin mallrat të tjera, e fshehur në vende të posaçme, që shpesh nuk kapej as nga skanerat e autoriteteve në dogana.

Prokurori Mara tha gjithashtu se për personat e arrestuar, mes të cilëve dhe një punonjës policie i Komisariatit të Shkodrës, është kryer dhe hetim pasuror, dhe se gjatë operacionit për arrestimin e tyre janë sekuestruar dhe automjete luksoze, pajisje kompjuterike, aparate celular, si dhe vlera të ndryshme monetare.