Drejtësi e fragmentuar

Një vit pas tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan, dhimbja mbetet e njëjtë. Ajo nuk është më vetëm tronditje – është një pritje e zgjatur për drejtësi.

Sepse drejtësia, në këtë rast, nuk është vetëm e vonuar. Ajo është e fragmentuar.

Zjarri i 16 marsit 2025, i shkaktuar nga përdorimi i mjeteve piroteknike në një hapësirë të mbyllur dhe të papërshtatshme, mori dhjetëra jetë të rinjsh dhe nxori në pah një varg shkeljesh të rënda të standardeve të sigurisë: mungesë dalje emergjente, kushte të papërshtatshme dhe mbikëqyrje të dështuar. Ishte një tragjedi që nuk ndodhi papritur. Ishte një tragjedi që u lejua të ndodhë.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi juridik.

Sot kemi jo një, por katër procese paralele që lidhen me këtë rast. Një numër i madh të akuzuarish – dhjetëra individë dhe edhe persona juridikë – janë përfshirë në procedura që zhvillohen në mënyrë të ndarë . Në teori, kjo mund të reflektojë seriozitetin e hetimit dhe përpjekjen për të kapur kompleksitetin e përgjegjësisë. Në praktikë, ajo krijon një ndjesi tjetër: se përgjegjësia është shpërndarë aq shumë, sa rrezikon të tretet.

Sepse kur të gjithë janë pjesërisht përgjegjës, shpesh askush nuk është plotësisht përgjegjës.

Proceset kanë prodhuar qindra faqe kundërshtimesh juridike, por asnjë pranime faji. Në thelb, kemi një betejë procedurale për të përcaktuar jo vetëm “çfarë ndodhi”, por “kush duhet të mbajë barrën kryesore të përgjegjësisë”. Dhe kjo betejë është bërë edhe më e ndërlikuar nga përzgjedhja e të akuzuarve.

Në mesin e tyre ka ish-zyrtarë nga periudha të mëhershme, por ndërkohë mungojnë disa nga ata që aktualisht mbajnë funksione apo që kanë pasur rol vendimtar në momentet kyçe të mbikëqyrjes. Ky kontrast e ushqen perceptimin publik se drejtësia nuk po arrin të depërtojë aty ku duhet – në nivelet ku vendimmarrja reale ka ndodhur.

Kjo nuk është vetëm çështje perceptimi. Është çështje thelbësore e së drejtës penale.

Në raste të tilla, përgjegjësia nuk është lineare. Ajo është zinxhirore. Ajo përfshin ata që kanë vepruar, ata që kanë lejuar të veprohet dhe ata që nuk kanë ndërhyrë kur kanë pasur detyrim ligjor ta bëjnë këtë. Kur një sistem dështon në disa nivele njëkohësisht – nga inspektimet, tek licencimi, tek kontrolli në terren – atëherë edhe përgjegjësia duhet të reflektojë këtë shumësi. Por mbi të gjitha, dënimi kryesor duhet të përfshijë ata që në mënyrë direkte dhe të pakontestueshme janë përgjegjës për rastin fatkeq.

Por ne e kemi parë këtë histori më parë.

Në Llaskarcë, procesi zgjati me vite. Në rastin e “Besa Trans”, po ashtu. Në spitalin modular në Tetovë, përgjegjësia penale përfundoi kryesisht tek nivelet më të ulëta, ndërsa pyetjet për përgjegjësi më të lartë mbetën pezull. Një model i përsëritur: tragjedi të mëdha, procese të gjata dhe një ndjenjë e vazhdueshme se drejtësia ndalet para se të arrijë majën.

Rasti i Koçanit rrezikon të ndjekë të njëjtin rrugëtim.

Sepse shumë procedura paralele nuk barazohen domosdoshmërisht me drejtësi më e plotë. Ndonjëherë, ajo është tregues i një sistemi që lufton me vetveten për të përcaktuar kufijtë e përgjegjësisë. Dhe në këtë luftë, viktimat dhe familjet e tyre mbeten në pritje – jo vetëm për një vendim, por për një të vërtetë të plotë.

Drejtësia, në fund, nuk matet me numrin e të akuzuarve. Ajo matet me aftësinë për të identifikuar përgjegjësinë reale – atë që qëndron jo vetëm në veprim, por edhe në mosveprim.

Një vit pas tragjedisë “Puls”, pyetja nuk është më vetëm se si ndodhi tragjedia.

Pyetja është nëse kemi guximin juridik dhe institucional për ta kuptuar atë deri në fund.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.