Dramaturgu Armand Bora u shpall fitues i Çmimit Letrar Kadare 2025 me triptikun me drama “Ata që mbijetuan”

Armand Bora me veprën “Ata që mbijetuan” u shpall fitues i Çmimit Kadare 2025. Për herë të parë ky çmim u dha për prozën shqipe, të shpallet një dorëshkrim në dramë. Për shumë vite, çmimi ka shkuar për dorëshkrime në zhanrin e romanit, tregimeve, novelës, nga autorë të njohur dhe të rinj në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe diasporë, transmeton Portalb.mk.

Juria e edicionit të 11 me radhë u përfaqësua nga tre breza shkrimtarësh, nga më i riu Dionis Prifti, te Loer Kume e Vera Bekteshi, e cila kryesoi punën e jurisë, nën asistencën këshilluese të kritikut letrar Ermir Nika dhe koordinimin e Suadela Balliut.

Në kokurencë ishin 40 dorëshkrime, me autorë nga të gjitha trojet ku flitet dhe shkruhet shqip, me një larmishmëri zhanresh dhe tematikash.

Juria e këtij edicioni vendosi që “Çmimi Kadare 2025 i jepet dramaturgut Armand Bora për veprën dramatike “Ata që mbijetuan”, për risi stilistikore dhe vlera të qëndrueshme estetike, ku me anë të ndërtimit të personazheve autentike, sjell evokimin e së kaluarës, duke përcjellë mesazhe në realitetin e sotëm”.

Armand Bora për Portalb.mk tha se për vetë problemet që ka drama shqipe, ky çmim vjen si një thirrje për më shumë vëmendje ndaj dramës kombëtare.

“Çmimi Letrar Kadare është një nga çmimet më të rëndësishëm, që jepet nga UETPRESS në partneritet me Institutin Liberal të Tiranës-Pashko dhe Universitetin Europian të Tiranës. Së pari, këtë çmim e bën të rëndësishëm emri i shkrimtarit Ismail Kadare. Me një histori të gjatë suksesi, tashmë prej 11 vitesh që organizohet, këtë çmim e kanë fituar shkrimtarë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo që e bën këtë çmim shumë të rëndësishëm është se këtë vit juria vendosi të shpallë si fitues një triptik veprash skenike. Për herë të parë ky çmim tregon vëmendje për teatrin dhe dramaturgjinë kombëtare. Për vetë problemet që ka drama shqipe ky çmim vjen si një thirrje për më shumë vëmendje ndaj dramës kombëtare”, tha Bora.

Bora foli edhe për tematikën e dramës që përçon.

“Triptiku “Ata që mbijetuan” përmbledh tre tekste skenike; Ata Hyjnë pa Trokitur”, “Udha e Qumështit” dhe “Domino në Burgator”. Të tre këto tekste i bashkon tema e periudhës së komunizmit. Të tre këto tekste e kanë kaluar provën e skenës dhe janë shfaqur në skenë. Madje teksti “Ata Hyjne pa Trokitur” ka patur disa produksione edhe jashte Shqipërisë si nē Zagreb interpretuar ne kroatisht nga aktorë kroatë, në Melburn ku u luajt nga dy aktorë australianë, në teatrin e njohur “La Mama” dhe përpara disa muajsh pati edhe një premierë në Neë York në Producer Club Theater në Broadëay”, tha Bora.

Bora gjithashtu shtoi se konkurrenca e fortë i ka dhënë kënaqësi. “Është e vërtetë që edhe këtë vit, si në çdo vit ka patur shumë vepra në konkurim. Këtë vit numëroheshin 40 autorë. Edhe kjo konkurencë e fortë më jep kënaqësi pasi për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një garë të tillë”, tha Bora.

Ai gjithashtu shtoi se ky çmim ia shton përgjegjësitë.

“Patjetër që fitimi i këtij çmimi e shton përgjegjësinë time që krahas punës si regjisor në teatër të vazhdoj të kontribuoj në mënyrë modeste edhe si dramaturg pasi e shikoj si të vetmen rrugë për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj situate jo shumë pozitive që po kalon drama shqipe”, tha Bora.

Se kur pritet të botohet vepra Bora ai edhe më tej shtoi:

“Botimi i tre teksteve është për mua shpërblimi më i madh edhe pse vlera monetare e çmimit është e konsiderueshme. Për momentin jemi në diskutime me botuesin për të vendosur për formatin e botimit dhe një fushatë promovimi për botimin”.

Armand Bora ka një karrierë të gjatë e të spikatur si autor i shumë produksioneve skenike, regjisor i disa produksioneve operistike, autor i disa teksteve në dramë, autor filmash, krahas së cilave ka vijuar punën si pedagog me të rinjtë në universitet.