Doli nga shtypi libri “Hanife Sejfulla Reçani dhe Shahindere Bërlajolli – dy zërat e paharrueshëm të këngës shqipe” me autor Bekim Ramadanin

Këto ditë doli në dritë libri me titull “Hanife Sejfulla Reçani dhe Shahindere Bërlajolli Stafai – dy zërat e paharrueshëm të këngës shqipe” nga autori Bekim Ramadani, një vepër e rëndësishme që hedh dritë mbi kontributin e çmuar të dy këngëtareve gostivarase në kulturën muzikore të shqiptarëve, njofton Portalb.mk

“Kjo monografi”, siç thotë në vlerësimin e tij recensues, etnomuzikologu Dr. Krenar Doli nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, “është e vlefshme sepse synon të plotësojë një mozaik ende të mangët, kurse me mjaft interes sepse tema për kulturën muzikore të një qyteti, në një rrafsh gjithëpërfshirës, është universale”.

Doli jep një vlerësim të lartë për këtë monografi dhe për punën e studiuesit Bekim Ramadani në përgjithësi. Ai, mes tjerash, thotë se, “kënga njihet si gjinia që i përgjigjet në mënyrë më të mirë pasqyrimit të jetës, ngjarjeve, andaj ajo mbetet vlera më e çmuar e kulturës në gjithë kompleksitetin e vlimit të saj në një vepër arti. Kjo karakteristikë i jep asaj avantazhin që të prijë në zhvillimet artistike, por nga ana tjetër, është pikërisht ajo që e ndjen më fortë se gjinitë tjera shoshën seleksionuese të kohës. Duke qenë e tillë, gjykojmë se këngët e kënduara nga këto dy interpretuese e të transliteruara sipas metodologjisë shkencore nga ana e profesor Bekimit, kanë faqet e veta me vlerë që lidhen kryesisht me njohjen dhe afirmimin e këtyre dy artisteve në një truall, jo thjesht, patriotik dhe luftarak, por edhe të ndjeshëm, të kulturuar në ndjeshmërinë e vet…”

Për të siguruar një kuptim të qartë dhe të plotë të historisë së dy zërave të paharrueshëm të këngës shqipe, autori Bekim Ramadani e ka strukturuar këtë monografi në dy kapituj të veçantë.

Kapitulli i parë është një rrëfim i jetës dhe veprës së këngëtares Hanife Sejfulla Reçani, ndërsa kapitulli i dytë fokusohet në jetën dhe kontributin e këngëtares Shahindere Bërlajolli Stafai. Kjo strukturë ka pasur një qëllim të qartë: të ofrojë një portret të plotë dhe të detajuar të secilës këngëtare, duke lejuar lexuesin të eksplorojë rrugën unike të tyre në skenën muzikore shqiptare.

Në të dy kapitujt janë përfshirë edhe shkrime nga autoritete të njohura të fushës së kulturës, si Agim Poshka, Lulzim Haziri, Edibe Osmani, Syrja Etemi dhe Dashurije Dehari, të cilët sjellin kujtime dhe vlerësime të veçanta për veprën e Hanife Sejfulla Reçanit, kurse, nga ana tjetër, Zymer U. Neziri, Mentor Mripa, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Nexhmije Pagarusha, Ramiz Kelmendi, Rifat Kukaj, Shaqir Hoti dhe Zejadin Ismaili janë autoritetet që kontribuojnë me shkrime dhe vlerësime për veprën e Shahindere Bërlajolli Stafait. Ky aspekt i monografisë sjell një perspektivë të pasur dhe të shumanshme mbi ndikimin dhe rëndësinë e tyre në skenën muzikore shqiptare.

Përveç tekstit të qartë dhe informativ, libri përfshin edhe transkripte notale të 37 këngëve (19 të Hanife Sejfulla Reçanit dhe 18 të Shahindere Bërlajolli Stafait), së bashku me tekstet përkatëse. Materialet shtesë si afishe dhe fotografi shtojnë vlerën estetike dhe dokumentuese për jetën dhe veprën e këtyre dy artisteve të shquara.

Libri është i formatit A5 dhe ka 215 faqe të shtypura në bardh e zi. Brenda tij janë vendosur 90 fusnota, 65 njësi bibliografike dhe 410 shënime nga regjistri i emrave.

Përpilimi i këtij libri ka shënuar një rrugëtim të gjatë, të cilit autori Bekim Ramadani i është përkushtuar me pasion dhe kujdes, duke u munduar të sjellë para lexuesve një portret të plotë dhe të detajuar të dy artisteve. Kërkimi i burimeve, intervistat me informatorë të moshave, profesioneve dhe vendeve të ndryshme, si dhe analizat e këngëve janë pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për të rikrijuar me saktësi dhe me pasion aktivitetet dhe kontributin e Hanife Sejfulla Reçani dhe Shahindere Bërlajolli Stafai në muzikën tonë popullore.

Autori Bekim Ramadani thotë se “kjo shpallje e botimit të librit duhet të shërbejë si një ftesë për lexuesit që ata të eksplorojnë thellësinë dhe pasurinë e historisë së këtyre dy zërave unikë të muzikës shqiptare që kanë shumë ngjashmëri sepse:

  1. vijnë nga Gostivari, një qytet i njohur për kontributin e tij në ruajtjen dhe promovimin e muzikës popullore shqiptare;
  2. kanë ndikuar thellë në muzikën popullore shqiptare dhe janë konsideruar si përfaqësuese të rëndësishme të këtij zhanri;
  3. kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e vlerave kombëtare në muzikë etj.

Hanife Sejfulla Reçani dhe Shahindere Bërlajolli Stafai, dy zëra të paharrueshëm të këngës shqipe, ndonëse janë të përqendruara në të njëjtën fushë artistike, kanë edhe dallime që i bëjnë secilën prej tyre unike në botën e muzikës popullore shqiptare. Dallimet bazohen në një gamë të gjerë të parametrave vokalë si: ngjyra, intonacioni, fuqia, lartësia, diksioni dhe shprehshmëria.

Hanife Sejfulla Reçani, me një stil të veçantë të këndimit, është një zë i fortë dhe i theksuar me ngjyra autentike të muzikës tradicionale. Ajo shquhet për shprehjen e thellë emocionale në interpretim, duke përdorur timbrin dhe fuqinë e zërit në mënyrë të kontrolluar dhe me aftësi të larta teknike. Parametrat vokalë të Hanife S. Reçanit përfshijnë një shkallë të gjerë tonale, si dhe përdorimin e teknikave të natyrshme të frymëmarrjes, pastaj melizmave, duke e bërë këndimin e saj një përvojë autentike dhe thelbësore.

Nga ana tjetër, Shahindere Bërlajolli Stafai shfaq një stil më ndryshe në këndimin e saj. Zëri i saj është i butë dhe jo me theksime të dukshme dinamike. Shahindere Bërlajolli Stafai përdor një gamë të ndryshme teknikash vokale për të përcjellë emocionet në këngë, përfshirë vibraton, portamenton, falseton etj. Përveç tjerash, ajo është e dhënë jo vetëm pas këngëve popullore, por edhe pas atyre autoriale, këngëve në frymën popullore dhe këngëve popullore të përpunuara. Të dyja këngëtaret kanë një repertor të pasur, por preferencat dhe përzgjedhjet e tyre të këngëve ndryshojnë. Secila prej tyre ka kontribuar me këngë të veçanta duke lënë gjurmë të thella te dëgjuesit e tyre” përfundon arkitekti i kësaj monografie. Përmes kësaj monografie, lexuesi ka mundësi që të bëjë një udhëtim emocionues në botën e dy zërave të paharrueshëm të këngës shqipe, Hanife Sejfulla Reçani dhe Shahindere Bërlajolli Stafai, duke u njohur me historinë e tyre, me shpirtin e muzikës së tyre unike. Për ata që janë të dhënë me mish e me shpirt pas këngës dhe historisë së artistëve shqiptarë, kjo monografi ofron një perspektivë të pasur dhe paraqet një udhërrëfyes të shkëlqyeshëm për një udhëtim të këndshëm kulturor.

Autori i kësaj monografie, profesor Bekim Ramadani, shquhet për një prodhim intelektual të pasur dhe të shumëllojshëm. Ka botuar dhjetëra libra dhe qindra punime profesionale, shkencore e publicistike, duke lënë gjurmë të rëndësishme në fushën e kulturës dhe studimeve shqiptare.