Dogana e RMV-së sekuestroi stoli të argjendit, orë dore dhe rroba në vlerë prej gjysmë milion denar

Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut informoi se gjatë fundjavës në tre raste janë konfiskuar rreth 2.7 kg stoli të argjendit, 33 ora të dorës dhe 160 palë rroba. Vlera e përgjithshme e gjësendeve të konfiskuara shkon në gjysmë milion denarë.

“Në rastin e parë, dy bashkëshortë kanë tentuar të importojnë ilegalisht rreth 2.7 kilogramë stoli argjendi me rastin e hyrjes në vend në vendkalimin kufitar Bogorodicë. Stolitë u zbuluan gjatë kontrollit të valixheve, ku në xhepat e brendshëm të rrobave u gjetën 37 pako me stoli argjendi dhe në automjet u gjetën tre fatura bizhuterish, të cilat ishin në emër të bashkëshortit”, thonë nga Dogana.

Në rastin e dytë bëhet fjalë për ora të cilat ekipi mobil i Drejtorisë doganore i ka zbuluar gjatë kontrollit të një veture në vendkalimin kufitar Bllacë. Shoferi i makinës i ka fshehur orët në çanta të zeza të cilat i ka vendosur pas sediljes së pasagjerit.
Një ekip tjetër mobil zbuloi dhe sekuestroi 160 palë veshje të destinuara për shitje në tregun maqedonas në vendkalimin kufitar Tabanovc gjatë kontrollit të autobusit. Për kontroll të detajuar është përzgjedhur autobusi që ka qarkulluar në linjën Beograd – Shkup.

“Në rastin e konfiskimit të orëve dhe rrobave, ndaj personave janë ngritur kallëzime kundërvajtëse. Në rastin në të cilin janë sekuestruar rreth 2.7 kilogramë bizhuteri argjendi, kundër personit është parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Publike për veprën penale të kontrabandës, pas së cilës gjykata ka marrë vendim për konfiskimin e bizhuterive, gjobë prej 2500 euro në denarë dhe konfiskim të automjetit me të cilin është kryer vepra”, njoftojnë nga Dogana.