Dogana e RMV-së sekuestroi rroba “Versace”, “Nike”, “Dolce Gabbana” me vlerë 26 mijë euro
Në vendkalimin kufitar Tabanoc është parandaluar tentim për kontrabandim të rrobave dhe këpucëve të markave në vlerë prej 1,6 milionë denarë nga markat e njohura të modës, ndër të cilat “Dolce & Gabbana”, “Versace”, “Michael Kors”, “Ralph Lauren” dhe “Nike” në dy raste të ndara të kontrolleve të hyrjes në vend në vendkalimin kufitar Tabanoc, njoftoi Drejtoria doganore, transmeton Portalb.mk.
Malli i markës për të cilin është dashur të paguhen detyrime doganore në vlerë të përgjithshme prej 457.546 denarë është konfiskuar, ndërsa kundër drejtuesve të mjeteve do të paraqitet kallëzim penal.
Veshje dhe këpucë të emrave të njohur të modës, ndër të cilat “Dolce & Gabbana” dhe “Versace” me vlerë rreth 11 mijë euro, janë zbuluar nga doganierët në bagazhin e shoferit të autobusit, i cili operonte në linjën e rregullt Dortmund – Tetovë.
“Kur doganierët i kanë pyetur pasagjerët dhe shoferin nëse kanë diçka për të deklaruar për kontroll doganor, ata janë përgjigjur se nuk kanë çfarë të deklarojnë. Gjatë kontrollit të autobusit dhe bagazhit, shoferi ka thënë se i ka pasur dy çanta me rroba të vjetra të cilat i ka marrë si dërgesë, gjatë kontrollit të të cilave janë gjetur produkte të markës me çmime të bashkangjitura”, njofton Drejtoria doganore.