Dogana e RMV-së konfiskoi mjete pune dhe aksesorë për celularë me vlerë prej 355 mijë denarë

Është penguar tentimi për kontrabandim të sasisë së madhe të mjeteve të dorës dhe industriale, si dhe galanteri për celularë në vlerë të përgjithshme prej 355 mijë denarë, të cilat dy shtetas të Maqedonisë u përpoqën t’i fusin ilegalisht në vend përmes pikës kufitare Bllacë, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të dyshimit automjetet janë përzgjedhur për kontroll të detajuar. Në të njëjtën kohë, në bagazhin e një automjeti janë zbuluar vegla dore dhe industriale në vlerë të përgjithshme prej 83.841 denarë, të cilat personi nuk i ka paraqitur në organet doganore, me të cilat ka dashur të shmangë pagesën doganore dhe TVSH në total prej 16.241 denarë”, informuan nga Dogana.

Në automjetin e dytë, në zonën pranë sediljes së pasagjerit dhe pas saj, si dhe në bagazh, u zbuluan 453 copë aksesorë për celularë – kufje, karikues dhe kabllo për karikues, syze mbrojtëse, karikues, karta memorie micro SD dhe syze mbrojtëse për celularë. Vlera e përgjithshme e aksesorëve celularë të padeklaruar është 271.167 denarë, për të cilat personi është dashur të paguaj gjithsej 51.547 denarë për doganë dhe TVSH.
Malli është sekuestruar, ndërsa ndaj personave janë ngritur kallëzime përkatëse.