Dogana e RMV-së ka sekuestruar mijëra euro të fshehura në çorape dhe nën kutinë e marshit të një kamioni

Një sasi e madhe devizash, 250 kuti çajra detoksifikues, por edhe kokë e re e motorit për kamion janë pjesë e konfiskimeve të ekipeve mobile në Sektorin për kontroll dhe hetime të Drejtorisë doganore gjatë ditëve të fundit, njoftoi Dogana e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Në dy raste të ndara, ekipet mobile zbuluan 15.100 euro, të cilat shoferët e kamionëve donin t’i nxirrnin jashtë vendit përmes vendkalimit Tabanovc për në Serbi pa i raportuar, duke i fshehur në çorape dhe në vende të ndryshme të automjeteve.

Në rastin e parë janë gjetur gjithsej 11.100 euro, nga të cilat 7.000 euro ishin të fshehura në çorapet e shoferit, ndërsa pjesa tjetër e valutave ndodhej në portofolin e tij dhe në një zarf në kabinën e mjetit.

Në rastin e dytë janë zbuluar 8000 euro, të cilat një shofer kamioni i ka fshehur në kabinën e kamionit nën kapakun e marshit automatik. Në të dy rastet, shoferëve shtetas të Maqedonisë iu janë kthyer dy mijë euro, një shumë të cilën lirisht mund ta nxjerrin jashtë shtetit, ndërsa pjesa tjetër e devizës është mbajtur, ndërsa kundër drejtuesve të mjeteve do të fillojë procedura penale.

Në pikën kufitare Bllacë me Kosovën, ndërkaq, në hyrje të vendit në dy raste të ndara, dy shtetas kosovarë janë ndaluar me qëllim të importimit të paligjshëm të 250 çajrave detoksifikues dhe një kokë të re motori për një kamion. Çajrat detoksike u zbuluan gjatë kontrollit të një furgoni, poshtë sediljeve të mjetit, ndërsa koka e motorit u zbulua në një automjet pasagjerësh, në bagazhin e mbuluar me batanije dhe xhaketë.