Dita e katër e protestës në Shqipëri, tensione tek Ministria e Arsimit, iu vu zjarri derës së Ministrisë së Ekonomisë

Rikthehen përplasjet mes forcave të policisë dhe protestuesve te Ministria e Arsimit. Pas disa momenteve paqësore gjatë tubimit të kësaj të premteje, protestuesit kanë goditur me sende të forta drejt godinës, por policia hodhi ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën të mbledhur para institucionit, transmeton Faktoje.al.

Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur të lirojë 17 nga 18 të arrestuarit në protestën e ditës së parë të studentëve kryesisht te Ministria e Arsimit.

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet për praninë e shtetasve serbë të maskuar mes efektivëve gjatë protestave. Autoritetet kanë reaguar edhe për videot e përhapura në rrjetet sociale.

Ndërkohë, nga një prej kioskave të djegura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama përforcoi të njëjtën deklaratë të një dite më parë se pas sulmeve në kryeqytet nuk qëndrojnë studentët.

16:15 – Sulmohet godina e Kryesisë së Kuvendit

Pasi i vunë flakën derës së Ministrisë së Ekonomisë, protestuesit janë vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë thyer dyert dhe dritaret e Kryesisë së Kuvendit. Policia ka reaguar menjëherë me gaz lotsjellës.

Siç shihet nga pamjet, tubuesit janë më të shumtë në numër dhe të organizuar, ndërsa kanë lëshuar mjete piro teknike dhe fishekzjarrë ndaj policisë.

16:00 – I vihet zjarri derës së Ministrisë së Ekonomisë

Pasi janë përplasur me policinë te Ministria e Arsimit, protestuesit janë drejtuar për te Ministria e Ekonomisë në qendër të Tiranës, ku kanë ndaluar dhe kanë nisur të sulmojnë derën.

Siç shihet dhe në video (lart), ashtu si ditët e kaluara, ata ia kanë arritur edhe sot që t’i vënë flakën godinës, në pjesën e përparme të derës.

Në derën e këtij institucioni ata kanë vendosur mbishkrimin:”Ky është fundi”. Policia ka ndërhyrë më mjete zjarrfikëse dhe po shuan flakët.

15:05 – Bilanci i protestave në 7 qarqe: 152 të arrestuar, 120 policë të plagosur

Policia e Shtetit ka bërë publik bilancin e deritanishëm të arrestimeve dhe procedimeve penale pas protestave të ditëve të fundit në disa qytete të vendit.

Sipas të dhënave të bëra publike pak më parë nga drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deri në këto momente janë arrestuar gjithsej 152 persona, ndërsa 324 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Numri më i lartë i rasteve është regjistruar në Tiranë, ku janë arrestuar 127 persona dhe janë proceduar 244 të tjerë. Ndërsa në rrethe janë arrestuar 25 persona, nga të cilët 23 në Durrës dhe 2 në Korçë.

14:55 – Policia: 56 të arrestuar dhe 97 në hetim, 16 prej tyre të mitur

Policia e Shtetit ka njoftuar se janë arrestuar 56 protestues për aktet e dhunshme të protestës ditën e enjte në Tiranë, ndërsa 97 ndodhen nën hetim.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 16 nga të arrestuarit janë të mitur të moshave 15-17 vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë 18-43 vjeç. Ditën e djeshme janë lënduar 24 efektivë.

Përmes sulmeve me gurë, sende të forta e mjete piroteknike, protestuesit kanë sulmuar policinë dhe shkatërruar e dëmtuar biznese, banka, sinjalistikë rrugore, godina institucionesh shtetërore dhe prona të tjera publike e private, si dhe kanë djegur automjete të Policisë.

13:00 – Përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë

Marshimi nisi në orën 11:00 me bllokime rrugësh dhe akte të tjera vandale, duke djegur kosha e shkatërruar kangjella, tabela e kamera. Fillimisht u ndalën te Ministria e Ekonomisë më marshuan përmes rrugës së Durrësit drejt Zogut të Zi, 21 dhjetorit te Rruga e Kavajës për t’u kthyer sërish te Ministria e Arsimit.

Disa prej protestuesve kanë nisur të godasin me sende të forta drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia reagoi menjëherë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Rreth orës 13:00, përplasjet kanë përshkallëzuar situatën, ku protestuesit janë shoqëruar me forcë nga uniformat blu, duke u tërhequr zvarrë dhe duke u qëlluar me shkopinj gome.

Në ditën e katërt të protestës, studentët, gjimnazistët dhe qytetarët bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

12:00 – Kreu i FNSH, debat me protestuesit: Për civilët nuk mbaj përgjegjësi

Mesditën e sotme, para Ministrisë së Arsimit u mblodhën mijëra qytetarë e studentë në vijim të protestave të përshkallëzuara. Në momentin që mbërritën para institucionit, u përballën me efektivët e FNSH, të cilëve iu kërkuan llogari për civilët që kishin goditur protestuesit.

Komandanti i FNSH, i cili u vetë prezantua para protestuesve, u tha protestuesve se nuk mbante përgjegjësi për civilët.

“Jam komandant i FNSH, jap përgjigjie vetëm për këto forca, jo për civila e çfarë janë aty”- u shpreh ai.

Ndërsa duke iu përgjigjur thirrjes së qytetarëve për të hequr kapelen, ai u shpreh: “Do ushqehet familja, do mbrohet ligji”.

Ai u dëgjua t’iu thotë të rinjve të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të mos godasin me gurë, përndryshe do ketë kundërpërgjigje me ujë.

“Vazhdoni protestën në mënyrë paqësore. Nuk ka civilë. Mos godisni me gurë. Nëse godisni me gurë do ju përgjigjemi me ujë, – u dëgjua të thotë komandanti. – Ju vaftë mbarë, protestë të mbarë!”.

11:30 – Protestuesit rikthehen te Ministria e Arsimit

Një numër i madh studentësh dhe gjimnazistësh kanë bojkotuar sërish mësimin këtë të premte dhe kanë marshuar në rrugët e Tiranës mes zonë te “21 Dhjetori” dhe Rrugës së Durrësit, në ditën e katërt radhazi të protestës.

Me thirrjet “ju erdhi fundi”, ata ndaluan fillimisht edhe para godinës së Gjykatës së Lartë për të shprehur revoltën edhe ndaj pushtetit gjyqësor.

Më pas, studentët dhe nxënësit kanë ndaluar para Ministrisë së Arsimit, me efektivët e policisë që janë pozicionuar në zonë.

Ndërkohë, protestuesit u kanë bërë thirrje efektivëve të heqin kapelet dhe t’u bashkohen atyre, me mesazhin se protesta “nuk ka më kthim pas”.

11:00 – Studentët dhe nxënësit e rretheve sërish në protestë

Edhe sot, studentët dhe gjimnazistët e rretheve janë solidarizuar me protestuesit në Tiranë. Në Lezhë një grup nxënësish bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë.

Grumbullime janë raportuar në Lezhë, Fushë-Arrëz, Kurbin, Kamëz, Rrëshen dhe Elbasan. Në Kamëz, gjimnazistët kanë dalë në protestë, ndërsa në Rrëshen lëvizjes i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës profesionale.

Në Shkodër, studentët kanë marshuar pranë fakulteteve, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës.

10:35 – Këshilli Ndërfetar apel për paqe, drejtësi dhe dialog kombëtar

Krerët fetarë të Shqipërisë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave studentore.

Këshilli Ndërfetar u bën thirrje palëve për paqe, drejtësi, përgjegjshmëri dhe dialog kombëtar, duke theksuar se të rinjtë duhet të dëgjohen dhe institucionet duhet të japin përgjigje në përputhje me ligjin.

Në deklaratë shprehet shqetësimi edhe për dëmtimin e bizneseve familjare dhe institucioneve arsimore, që sipas krerëve fetarë cenojnë të drejtën për dije dhe siguri.

10:05 – “Fishekzjarrë kontrabandë për protestuesit”, arrestohet 24-vjeçari

Një 24-vjeçar u arrestua nga policia sot, pasi brenda banesës së tij në rrugën “Jargavani” u gjetën 344 kuti me fishekzjarre e kapsolla që dyshohet se ua shiste protestuesve.

Sipas policisë, vlera e kutive me fishekzjarre, sipas policisë arrin deri në 40 mijë euro.

“Nga kontrolli në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike, që dyshohet se ky shtetas ua furnizonte personave të maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit”- njofton policia.

Ndërkohë që theksohet se vijojnë veprimet për identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.

08:30 – Gjykata e Tiranës liron 17 nga të arrestuarit

Gjykata e Shkallës së Parë, ka vendosur të lirojë 17 nga 18 të arrestuarit në protestën e ditës së parë të studentëve te Ministria e Arsimit.

Në vendimin e saj, gjykata i konsideron si të ligjshëm arrestimet në flagrancë pas dyshimeve për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

08:20 – Rama nga kioska e djegur: Durim, do dalim edhe më të fortë!

Pavarësisht se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij si kusht të panegociueshëm, kryeministri Edi Rama vijon të theksojë se nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë.

Teksa vizitoi një prej kioskave të djegura, ai tha se pavarësisht problemeve që ka vendi, nuk do të përkulet përballë dhunës.

“Ndërkohë që studentët, sipërmarrësit prindërit e tyre kanë të drejtë të kërkojnë më shumë. Problemet janë aty, duhen adresuar., jemi këtu për të bërë më të mirën, me aq sa dimë. Mos harroni që e kemi sjellë Shqipërinë këtu, e kemi sjellë Tiranën këtu. Kush thotë të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon sepse kjo do të thotë ta humbësh qetësinë për një kohë të gjatë”- tha Rama.

Më tej, ai u bëri thirrje të gjithëve që të kenë durim duke u thënë se nga kjo do të dalin më të fortë.

“Motra dhe vëllezër durim se edhe kjo do kalojë dhe sapo të kalojë do të dalim më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara”, shtoi kryeministri.

08:00 Policia përgënjeshtron pretendimet për policë serbë në protesta

Pas pretendimeve të përhapura në rrjete sociale për praninë në protesta të shtetasve serbë të maskuar si civilë në radhët e uniformave blu, Policia e Shtetit, i ka cilësuar lajmet të pavërteta.

Në një njoftim zyrtar për mediat, policia thotë se personat që i shpërndajnë synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të nxitur konflikt.

Reagimi vjen pas publikimit në rrjetet sociale të disa mesazheve dhe videove, përmes të cilave pretendohet se persona nga Serbia janë angazhuar për të arrestuar dhe dhunuar protestuesit.

Aludime pati edhe për një tjetër video që qarkulloi në rrjet, kur policia ndalon një protestues ndërsa lëvizte me motor.

Në rrjet u pretendua se policia serbe po rrëmbente vajza, por policia sqaroi është shoqëruar vetëm protestuesi mashkull, pasi drejtonte tubimin e sulmonte policët dhe jo vajza që ndodhej me të.

Për videot e fotot e shpërndara në rrjet, ku shihen kavo me shufra hekuri brenda që përdoren në vend të shkopit të gomës, policia thotë se ua ka sekuestruar 4 protestuesve të maskuar.

Për ngjarjen në Qytetin Studenti, ku pati disa protestues të maskuar që thyen xhamat e konvikteve, po vijon puna për identifikimin e tyre.