SASHK zgjodhi Stojko Ramovin kryetar të ri, paralajmëroi marrëveshje të reja kolektive për mbrojtjen e fëmijëve dhe kulturën

Stojko Ramov është zgjedhur kryetar i ri i Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK). Ai vjen në vend të kryetarit të deritanishëm, Jakim Nedelkov, i cili e drejtoi sindikatën për shumë vite. Si prioritete për periudhën e ardhshme, Ramov paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive për mbrojtjen e fëmijëve dhe lidhjen e një marrëveshjeje të re kolektive për kulturën, me qëllim përmirësimin e statusit ekonomik dhe social të të punësuarve, transmeton Portalb.mk.

“Do të angazhohem për rikthimin e dinjitetit të punonjësve të arsimit dhe për vendosjen e tyre në pozitën që meritojnë në këtë shoqëri. Na pret shumë punë dhe shpresoj se do të gjejmë mirëkuptim nga partnerët socialë, me çka do të arrijmë ta përmirësojmë statusin ekonomik dhe social të punonjësve të arsimit në të gjithë Maqedoninë”, tha kryetari i sapozgjedhur.

Sa u përket afateve për përmbushjen e këtyre pritshmërive, ai tha se arritja e marrëveshjeve varet nga vullneti i të dyja palëve negociuese.

“Këto janë negociata dhe gjithçka nuk varet vetëm nga SASHK-u, por edhe nga pala tjetër. Prandaj, duhet të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, me qëllim arritjen e marrëveshjes”, tha ai.

Kryetari i deritanishëm i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, në kongres tha se pritet të përfundojnë negociatat për marrëveshjet kolektive. Ai shtoi se disa çështje janë harmonizuar, por mbeten tema të hapura që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve, kulturën dhe pagesën e pagave.

“Në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me gjasë ka ende shumë punë për të bërë, si ndryshimi i dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, ashtu edhe ndryshimi dhe plotësimi i disa dispozitave të marrëveshjes kolektive. Probleme të ngjashme kemi edhe në fushën e kulturës, lidhur me sistemin e pagesës së pagave e të tjera”, tha Nedelkov.

Sipas tij, duhet të rregullohet edhe statusi i të punësuarve në konviktet e nxënësve dhe studentëve, përmes një akti përkatës që do të rregullojë marrëdhëniet e punës dhe pagesën e pagave. Si afat përfundimtar për përmbylljen e këtyre proceseve, ai përmendi vitin 2027, duke lënë të hapur mundësinë që ato të përfundojnë edhe më herët.

Në kongres mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila vlerësoi se bashkëpunimi me SASHK-un ka kontribuar në zbatimin e politikave arsimore. Si një nga rezultatet e këtij bashkëpunimi, ajo përmendi planin katërvjeçar për rritjen e vazhdueshme të pagave të mësimdhënësve, i cili duhet të vazhdojë edhe në mars të vitit të ardhshëm.

Ministrja theksoi gjithashtu avancimin në karrierë të mësimdhënësve, përmirësimin e kushteve të punës dhe zvogëlimin e detyrimeve administrative si fusha në të cilat është arritur bashkëpunim.

Sa i përket optimizimit në arsim, ajo tha se reforma duhet ta përmirësojë procesin arsimor dhe kushtet e punës, pa larguar nga puna mësimdhënësit. Sipas saj, procesi duhet të zgjasë më së shumti katër vjet, gjatë të cilave nuk do të ketë punësime të reja.

Nedelkov vlerësoi se zbatimi i deritanishëm i optimizimit është menaxhuar mirë, në bashkëpunim me partnerët socialë, dhe se nuk ka pasur largime nga puna të të punësuarve në arsim.