Dita e dytë, funksionimi i shkollës në Vizbeg me mangësi

“Sot është dita e dytë që nisi funksionimi i shkollës së re fillore në Vizbeg. Me një muaj vonesë nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të pestë kanë nisur procesin edukativo arsimor. Drejtori Kadri Elezi pavarësisht që gjendet brenda objektit të shkollës nuk e pa të arsyeshme të takohet me ekipin e Tv Alsat për të sqaruar më detajisht se si do të zhvillohet më tutje procesi mësimor, nëse është siguruar numri i mjaftueshëm i mësimdhënësve të cilët ishin paraparë me konkurs. Nga ana tjetër prindërit ankohen se paralelet janë të stërmbushura me nxënës”, raporton Alsat.

“Mësuesja neve na tha që 42 nxënës i kemi me një klasë por kemi me i nda. A kanë me i nda ose jo nuk e dimë tash. Po përse, se nuk ka mësuese tjetër apo pse ka shumë fëmijë? Jo, mësuesja tha se nuk e kanë dit që kanë me pas kaq shumë nxënës. A ju kanë paralajmëruar, a kanë orar të rregullt këtë javë, apo? Jo, këtë javë jo, javën tjetër po. 42 nxënës me i marr një mësuese katastrofë”, tha një prind.

Pavarësisht problemeve të shumta, nxënësit që sapo dolën nga mësim shprehen të kënaqur me kushtet në shkollë posaçërisht që nuk detyrohen të bëjnë rrugë të gjatë siç kishin bërë deri më tani drejt shkollave fqinje.

“Unë nuk e kisha sjell këtu, djali dëshironte se është më afër. Më mirë ishte Shutkë. Ndoshta rregullohet nëse marrin më shumë mësuese”, u shpreh një banor.

Fillimisht mësimin në objektin e ri shkollor në shkollën fillore “Vizbeg” do të ndjekin nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të pestë.

“Jam klasa e pestë. Dje i kemi mbajt dy orë, librat i kam marrë prej shkollës tjetër, sot katër orë. Më mirë janë shoqet, shkolla më pëlqen më shumë edhe më afër është”, deklaroi një nxënëse.

Në këtë shkollë mësimin e ndjekin nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa nxënësit deri në klasën e nëntë sërish detyrohen mësimin ta ndjekin në shkollat e komunave fqinje.

Më 20 shtator, një pjesë e banorëve të Vizbegut të shoqëruar nga shumë fëmijë të kësaj lagjeje kanë protestuar para shkollës së re fillore “Vizbeg”. Tashmë tre javë shkolla mbetet nën dry dhe akoma nuk ka nisur me procesin mësimor pavarësisht regjistrimit të nxënësve në klasë të parë dhe transferimit të nxënësve tjerë nga shkollat ku kanë mësuar deri më tani.

Që nga viti 2012 e këndej, për këtë shkollë janë bërë një maratonë premtimesh. Në shkurt të vitin 2017, u tha se në muajin mars pritet të hidhet gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg. Madje, atëherë nga Ministria e Arsimit thanë se, në buxhetin për vitin 2017 është paraparë ndërtimi i shkollës fillore në Vizbeg. Ndërtimi i objektit të shkollës filloi në vitin 2022.