Dita e 78-të e protestës: Diaspora iu bashkua sërish tubimit në Tiranë

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama shënon sot, më 16 gusht, ditën e saj të 78-të të qëndresës, ndërsa në shesh pritet sërish një pjesëmarrje e konsiderueshme e qytetarëve dhe shqiptarëve të ardhur nga diaspora, shkruan Syri.net, transmeton Portalb.mk.

Kjo është dita e tretë me radhë që emigrantë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës i janë bashkuar masivisht tubimit në Tiranë. Shumë prej tyre kanë zgjedhur që ardhjen në atdhe gjatë sezonit të pushimeve ta kthejnë edhe në një aktivizim të drejtpërdrejtë, për t’u bërë pjesë e thirrjeve kundër qeverisjes aktuale.

Gjatë ditëve të fundit, bashkatdhetarët e ardhur nga jashtë vendit kanë deklaruar nga platforma e protestës se largimi drejt vendeve evropiane nuk duhet të jetë e vetmja rrugëzgjidhje për rininë dhe familjet shqiptare. Sipas tyre, Shqipëria duhet të garantojë kushtet e nevojshme ekonomike dhe sociale që qytetarët të mund të ndërtojnë të ardhmen dhe të punojnë me dinjitet në vendin e tyre.

Protestuesit konfirmojnë se rezistenca do të vazhdojë pa u ndalur deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore dhe të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit Edi Ramës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë disa ditë më parë prezantoi dokumentin “Besa”, të cilin e përshkruan si metodën që do të udhëheqë mandatin e tij të katërt.

Sipas tij, nisma lindi pasi “Revolucioni i Flamingove” e detyroi Qeverinë të përballej me një problem që nuk e kishte pranuar më herët: hendekun mes mënyrës se si qeveris dhe mënyrës se si qytetarët e përjetojnë atë.

Ndryshe, në protestë vijojnë të jenë masive thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg dhe Rama jepe dorëheqjen”, të cilat janë dëgjuar vazhdimisht nga pjesëmarrësit gjatë marshimeve dhe tubimeve në kryeqytet.