Marshim kilometrik i protestueve në Tiranë, pjesëmarrësit paralajmëruan se do të kalojnë natën në shesh
Shqiptarët e ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan protestës së kësaj të shtune në Tiranë, kanë vendosur që ta kalojnë natën në sheshin para Kryeministrisë ndërsa kanë ftuar t’u bashkohen të gjithë qytetarët që dëshirojnë të qëndrojnë me ta në vijim të protestës, transmeton Euronews.al.
Kjo e shtunë shënon ditën e 21-të të protestës së aktivistëve dhe qytetarëve kundër qeverisë. Pjesëmarrja e diasporës ka rritur ndjeshëm numrin e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.
Protestuesit kanë zgjedhur mënyra të ndryshme për të shprehur revoltën e tyre nga pankartat deri tek afishimi i shkrimeve me projektor në muret e Kryeministrisë.
“Albania is not for sale”, “Nga Zvërneci deri në Rrjoll, Shqipëria thotë boll”, ishin disa nga shkrimet që shfaqeshin në muret e Kryeministrisë.
Në protestë vijojnë të jenë masive thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg dhe Rama jepe dorëheqjen”, të cilat janë dëgjuar vazhdimisht nga pjesëmarrësit gjatë marshimeve dhe tubimeve në kryeqytet.
Protestës këtë të shtunë iu bashkua edhe deputetja Marjana Koçeku. Prania e saj në protestë vjen teksa ajo pak ditë më para njoftoi largimin e saj nga grupi i Partisë Socialiste.
Aktivisti Arben Kola deklaroi se qëndresa kundër qeverisë do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar.
“Kanë bllokuar autostradën për të mos lejuar njerëzit të vijnë në Tiranë. Kryeministria është rrethuar. Parlamenti dhe të gjitha ministritë po rrethohen. Do të qëndrojmë këtu derisa të shporren”, u shpreh Kola.
Nga foltorja e protestës foli edhe mjeku Ermal Pashaj, i cili theksoi se shqiptarët duhet t’i dalin zot vendit të tyre dhe të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.
“Sot është ngazëllim i madh të shohësh gjithë këtë furtunë në shesh. Ne do t’i dalim zot këtij vendi. Shqipëria sot ka zot dhe për këtë jemi ne. Ne jemi ata që duhet ta shtyjmë përpara Shqipërinë. Bëj thirrje për të gjithë kolegët e mi që shërbejnë në vendet e huaja të mos e harrojnë vendin e tyre. Rama jep dorëheqjen. Emëruesi i përbashkët është korrupsioni në çdo qelizë dhe kjo kërkon një ndërhyrje të thellë dhe rrënjësore”, tha ai.
Protesta vijon para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit qytetar edhe në ditët në vijim.