Dita botërore e ujit: Nuk po bëhet mjaftueshëm për të ruajtur burimin më të çmuar

Qasja në ujë të pijshëm është një e drejtë e njeriut. Ekziston një nevojë urgjente për të punuar së bashku për të mbrojtur dhe ruajtur burimin tonë më të çmuar. Bashkëpunimi për ujin hap rrugën për bashkëpunim në të gjitha sfidat e përbashkëta – ne duhet ta përdorim ujin si një mjet për të krijuar një botë më paqësore dhe më të begatë për të gjithë. Kështu thuhet në njoftimin e Institutit të Shëndetit Publik (IShP), me rastin e 22 Marsit, Ditës Botërore të Ujit, transmeton Portalb.mk.

“Në nivel lokal dhe kombëtar, përdorues të ndryshëm të ujit, veçanërisht ndërmarrjet e ujit, energjia, ushqimi dhe industria, duhet të bashkëpunojnë përmes një qasjeje të integruar për menaxhimin e burimeve ujore dhe të promovojnë një ekonomi rrethore që përmbush të drejtat njerëzore. Nga ana tjetër, ndikimet e ndryshimeve klimatike në lidhje me ujin po përkeqësohen dhe popullsia globale në rritje po vendos kërkesë në rritje për burimet e fundme. Në shumë vende, qasja e njerëzve në ujë të pijshëm të sigurt shpërndahet në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë”, shkruan IShP.

Uji mund të jetë armë gjatë një konflikti të armatosur, thuhet në deklaratën e IShP-së, por nga ana tjetër, mund të jetë një forcë stabilizuese dhe katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm.

Siç thuhet në ueb-faqen e Kombeve të Bashkuara, në nivel pellgu, vendet duhet të zhvillojnë marrëveshje dhe të krijojnë institucione për menaxhimin paqësor të burimeve ujore që kalojnë kufijtë ndërkombëtarë.

“Puna e përbashkët për ujin përtej kufijve dhe sektorëve do të përshpejtojë përparimin në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, do të përmirësojë sigurinë ushqimore, do të mbajë jetesë dhe ekosisteme të shëndetshme, do të ndihmojë në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, do të kontribuojë në reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, duke ofruar energji të rinovueshme, duke mbështetur qytetet dhe industrinë dhe nxitja e integrimit rajonal dhe paqes”, thuhet në njoftimin e OKB-së për Ditën Botërore të Ujit.

Vitin e kaluar u raportua se në vend që të shfrytëzohet nga qytetarët apo kompanitë, sasia më e madhe e ujit të pijshëm në Maqedoni humbet në ujësjellësit e ndërmarrjeve publike. Humbjet e ujit të pijshëm në kushtet e ndryshimeve të paparashikueshme klimatike me të cilat po përballet vendi nuk merren seriozisht, gjë që në të ardhmen mund të sjellë probleme serioze me furnizimin me ujë në disa komuna.