Për kurthet e antivlerës

Ndër gjërat e rralla që më kujtohen nga mosha e fëmijërisë së hershme është vjersha që nis me vargjet: Asho masho/ kane dane/ rove klove/ ana lanë, që në gjuhën papuane/ do t’më thoshin kapedan,/ ndale pak vaporin tënd. Këtë gjuhë të fshehtë gjysëmargo arrita ta kuptoj mirëfilli në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, kur me rastin e përurimit të bujshëm të një “vepre poetike”, dëgjova vargjet: Rrënjë, vallëzohuni nën hije,/ mos kotëso veten lajmëtare,/ në unazë kalimthi binare,/ në botërat të shuhesh arbërore.

Nga ky moment m’u qartësuan gjer në detaje vargjet e vjershës Asho-masho, m’u dukën sajesa disa herë më të logjikshme se vargjet e shpifura të mjerimit artistic, më bënë ta kuoptoj se arti është i dënuar të bashkëjetojë me antiartin, që stërkeq shijen estetike.

Asokohe liliputët e qendrave kulturore nisën gjahun e viçave estetikë të provincës dhe ushtrimin e zejes së alkimisë letrare, e cila synoi shpikjen e sa më shumë poetucëve dhe vjeljen e sa më shumë parave nga qeniet e patrajta, që s’arrinin ta zbërthejnë fyerjen cinike me aromën e njëfarë kooperativiteti vëllazëror, që u vu në lëvizje me parullën: Ju keni paratë – ne kemi trurin!

Kjo shëmti ua zuri frymën vlerave që lindën dhe u kultivuan nga grupe idealistësh të leximit dhe të dijes. Poezia e mirë u bë e papeshë, sepse të tillë e donin ata që duhej ta çlirojnë nga britmat patetike të rapsodëve të vonuar, nga studiuesit e rremë, nga koleksionistët e lëkurave njerëzore me trajta markash gjermane, nga ata që mendonin se kanë tru me bollëk dhe vëllezër kokëtulë që i shpërblejnë trashë shërbimet alkimike, nga bosët dhe mafia letrare shqiptare, nga  akrabatë e levantinëve të Konicës që ndër ne zbuluan Mekën e estetikës vaditëse dhe hamamin e larjes së kokave me akull, nga ata që vinin dhe ligjëronin përjermshëm mbi artin letrar me idenë se i drejtohen një shkretëtire, me bindjen se s’ka për t’u dalur boja kurrë, meqë kishin mburojë të zëshme armatën e krijuesve të shpifur, që domosdo ishin lojalë ndaj sajuesve të tyre.

Kështu, në pazarin plot kallaballëk, apo, më mirë të themi, në atë kallaballëk pazaresh, ku lartmadhëria e saj – paraja të bënte aty për aty shkrimtar, nuk mund të mos ngulfatej vlera e mirëfilltë dhe të mos avancohej krijimtaria mediokre, e barikaduar zakonisht pas çështjeve të mëdha, si kombi dhe feja. Intereset meskine kllumën në llucë edhe emra të njohur krijuesish, që ngritën në qiell “margaritarët” si: Edhe unë isha i bukur,/ por jo pasanik,/ prandaj një ditë vendosëm,/ bashkë për të ik.// Na u vu pas familja,/ na zunë në mes të rrugës, gjaku rrëke na rrithte/ nga vrimat e hundës…

I këtillë qe paradoksi i viteve të ‘90-ta, kur gjërat u zhvendosën nga anarkia e dirigjuar në sallamadi të përgjithshme letrare, që favorizoi artin naiv. Fatmirësisht, siç thamë edhe më lart, gjatë kësaj periudhe të zymtë dhe viteve të mëpastajme, lindën dhe u rritën disa  poetë e poetesha  me emra të përveçëm, veprat e të cilëve konsiderohen me të drejtë si pjesë e ajkës së letërsisë shqipe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.